Moldavi, rezultatet fillestare i japin epërsi presidentes proevropiane
BKT
Rajoni dhe Bota

Moldavi, rezultatet fillestare i japin epërsi presidentes proevropiane

REL

Presidentja proevropiane Maia Sandu është duke prirë kundër socialistit prorus Alexandr Stoianoglo në garën presidenciale me 11 kandidatë në Moldavi, sipas rezultateve fillestare.

Rezultatet fillestare pas numërimit të 35 për qind të votave të dielën vonë tregojnë se Sandu ka fituar 35 për qind të votave, Stoianoglo 29 për qind, ndërsa Renato Usatii 15 për qind, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk do t’i fitojë më shumë se 50 për qind të votave, atëherë do të mbahet një balotazh mes dy kandidatëve të parë më 3 nëntor.

Vëzhguesit paralajmëruan se rezultatet e para me gjasë vijnë nga vendet e diasporës në Rusi dhe shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, që nënkupton se epërsia e Sandus mund të rritet me numërimin e votave brenda Moldavisë.

Ndërkohë, të dielën u mbajt edhe një referendum, i propozuar nga Sandu, i cili i pyeti 3.3 milionë moldavë brenda dhe jashtë vendit nëse e "mbështesin ndryshimin e Kushtetutës për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian".

Rezultatet fillestare, pas numërimit të 46 për qind të votave, tregojnë se 56 për qind kanë votuar kundër, por votat e panumëruara mund ta ndryshojnë rezultatin e referendumit për BE, sipas vëzhguesve.

Qendra e votimit u mbyllën në ora 21:00 sipas kohës lokale dhe zyrtarët zgjedhorë filluan të njoftojnë rezultatet fillestare rreth një orë më vonë.

Zgjedhjet e dyfishta vendimtare të Moldavisë do ta ndihmojnë vendin të vendosë nëse e ardhmja e tij do pranë Evropës dhe Perëndimin, apo do të kthehet më shumë drejt Rusisë, pas një fushate të mbizotëruar nga akuza për ndërhyrje të Moskës për ta arritur rezultatin e dëshiruar.

Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja në referendum e kaloi shkallën e nevojshëm prej 33 për qind, duke arritur afërsisht 50 për qind, ose më shumë se 1.48 milion vota.

Dalja në zgjedhjet presidenciale ishte mbi 51.4 për qind, ose më shumë se 1.56 milion vota, ndërsa u raportua për radhë të gjata në disa qendra votimi në Moldavi dhe në vende jashtë shtetit, duke përfshirë Francën, Rumaninë, Rusinë dhe Greqinë.

Pasi e hodhi votën, Sandu tha se duke votuar sot, moldavët "mund ta ruajnë paqen dhe stabilitetin" në vend, duke shtuar se "moldavët duhet ta përcaktojnë fatin e tyre" pa "gënjeshtra dhe pa para të pista".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota