Vriten 4 dhe plagosën 14 të tjerë në një strukturë të aviacionit turk
BKT
Rajoni dhe Bota

Vriten 4 dhe plagosën 14 të tjerë në një strukturë të aviacionit turk

Dardan Ramabaja / RTK

Katër persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në një sulm në selinë e Industrisë Ajrore Turke TUSAS të mërkurën, njofton qeveria. Kurse dëshmitarët thanë se dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe një shpërthim të fortë në TUSAS që gjendet pranë Ankarasë.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se dy sulmues u vranë në atë që ai e quajti një sulm terrorist, duke shtuar se tre nga të plagosurit janë në gjendje kritike.

Transmetuesit televizivë më parë treguan pamjet e sulmuesve të armatosur duke hyrë në ndërtesën e TUSAS.

“Dy terroristë u neutralizuan në sulmin terrorist në zonën TUSAS Ankara Kahramankazan. Mjerisht, ne kemi 3 dëshmorë dhe 14 të plagosur në sulm”, tha Yerlikaya, duke iu referuar Industrisë së Hapësirës Ajrore.

Presidenti turk Tajip Erdogan, së bashku me Vladimir Putinin e Rusisë në një konferencë të BRICS në qytetin rus të Kazanit, e quajti gjithashtu një sulm terrorist.

Shkaku dhe autorët e shpërthimit dhe të shtënave pasuese mbeten të paqarta. Prokurorët kanë nisur një hetim, njoftoi agjencia shtetërore Anadolu.

Disa raporte të mediave pretenduan se kishte ndodhur një sulm vetëvrasës dhe se brenda ndërtesës kishte pengje, megjithëse zyrtarët nuk e kanë konfirmuar këtë.

Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se punonjësit brenda ndërtesës u dërguan nga autoritetet në strehimore dhe askush nuk u lejua të largohej për disa orë. Ata thanë se shpërthimet që dëgjuan mund të kenë ndodhur në dalje të ndryshme pasi punonjësit po largoheshin nga puna për ditën.

Transmetuesit treguan imazhe të një porte të dëmtuar dhe pamjet e shkëmbimit të zjarrit në një parking, si dhe sulmuesit që mbanin pushkë sulmi dhe çanta shpine teksa hynin në ndërtesë. Më vonë mbërritën ambulancat dhe helikopterët.

TUSAS është prodhuesi më i mjeteve fluturuese civile dhe ushtarake dhe po zhvillon aeroplanin e parë luftarak Turk, KAAN. Në pronësi të Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke dhe qeverisë, ajo punëson më shumë se 10,000 njerëz.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dënoi sulmin dhe tha se aleanca ushtarake do të qëndrojë me aleatin e saj Turqinë. Sulmin e dënoi edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Turqi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota