Stuhi në Filipine, të paktën 20 persona kanë humbur jetën
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhi në Filipine, të paktën 20 persona kanë humbur jetën

Bardhyl Bajrami /RTK

Një stuhi tropikale ka shkaktuar shi të rrëmbyeshëm në Filipine. Sasia e shiut që ka rënë është e barabartë me sasinë që zakonisht bie për një muaj.

Si pasojë, të paktën 20 persona kanë vdekur ndërsa më shumë se 150 mijë janë detyruar të zhvendosen.

Stuhia Trami ka goditur bregun verilindor të ishullit Luzon, që është ishulli me më së shumti banorë i vendit ndërsa ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të tokës.

Ndër më të goditurit ishte Gadishulli Bicol ku përmbytjet apo niveli i ujit ka mbërritur deri në pothuajse katet e dyta të shtëpive.

Qytetarët e bllokuar nëpër kulmet e shtëpive të tyre kanë postuar fotografi nëpër rrjetet sociale nëpërmjet të cilave kanë kërkuar ndihmë e që kjo ka nxitur rojën bregdetare t’u dale në ndihmë me varka gome.

Kjo stuhi, erërat e së cilës mbërritën në 95 km/h do të largohet nga rajoni bregdetar verilindor i vendit të enjten në mbrëmje.

Stuhia ka shkaktuar edhe anulimin e dhjetëra fluturimeve të aeroplanëve në vend.

Zakonisht, Filipinet goditen mesatarisht nga katër tajfune në vit disa prej të tyre vdekjeprurës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota