38 persona, përfshirë 9 fëmijë, janë vrarë nga një sulm i Izraelit në Gazë
BKT
Rajoni dhe Bota

38 persona, përfshirë 9 fëmijë, janë vrarë nga një sulm i Izraelit në Gazë

Bardhyl Bajrami /RTK

Të paktën 38 persona janë vrarë nga një sulm i izraelit në jug të Gazës, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se në mesin e të vrarëve janë 9 fëmijë që i përkasin një familjeje.

Katërmbëdhjetë persona, përfshirë nëntë fëmijët janë vrarë nga një sulm me raketa e cila ka rënë në shtëpinë e familjes al-Fara, ndërsa gjashtë persona tjerë janë vrarë në një sulm të dytë që ka goditur një shtëpi tjetër pranë shtëpisë së familjes al-Fara.

Ndërkohë, raportohet se trupat ushtarake izraelite kanë bastisur spitalin e fundit funksional në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi dhe punëtorët shëndetësorë, kanë thënë se trupat izraelite i kanë urdhëruar pacientët dhe personelin e spitalit Kamal Adwan, që ndodhet në qytetin Beit Lahia në pjesën veriore, të largohen nga aty.

E Ayman Safadi, ministri jordanez i punëve të jashtme ka thënë se Izraeli po kryen pastrim etnik në veri të Gazës.

Safadi ka kërkuar nga sekretari amerikan Antoni Blinken që të ushtrojë presion mbi Izraelin për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare dhe zhvendosjes masive të popullsisë në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që nga fillimi i luftës së fundit janë vrarë të paktën 42 mijë 847 palestinezë e janë plagosur e lënduar më shumë se 100 mijë tjerë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota