Netanyahu: Planifikojmë të arrijmë marrëveshje paqësore me vendet arabe
BKT
Rajoni dhe Bota

Netanyahu: Planifikojmë të arrijmë marrëveshje paqësore me vendet arabe

Luan Qorraj / RTK

Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanyahu, ka thënë se Tel Avivi do të vazhdojë me negociata me qëllim të arritjes së marrëveshjes për armëpushim, përderisa forcat izraelite, pa ndërprerje, vazhdojnë me operacionet e tyre në Liban dhe në Rripin e Gazës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u është drejtuar deputetëve në Knesset- Parlamenti në Tel Aviv- të cilët u mblodhën për të shënuar fillimin e sezonit dimëror të punës së Knesset-it, duke folur për zhvillimet momentale por edhe planet e ardhshme të qeverisë izraelite.

Mes tjerash, Netanyahu ka thënë se Tel Avivi planifikon që pas përfundimit të luftës në Rripin e Gazës dhe operacioneve në Liban, të arrijnë marrëveshje të paqes dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet arabe, duke siguruar, kështu, paqe afatgjate në rajon dhe duke forcuar edhe më tej aleancat rajonale kundër Iranit.

Sipas Netanyahut, arritja a paqes me të gjitha vendet arabe do të krijojë një të ardhme të sigurt, stabile dhe të begatshme për të gjithë në Lindjen e Mesme.

Netanyahu gjithashtu tha se qeveria e tij është duke vazhduar me negociata, me ndërmjetësues, me përfaqësuesit e Hamasit dhe Hezbollahut, me qëllim të arritjes së një armëpushimi, i cili do të krijonte hapësirë që diplomacia të gjejë një mënyrë për sigurimin e paqes afatgjate.

 Ndërkohë, forcat izraelite kanë vazhduar me operacione në Rripin e Gazës dhe në Liban.

Sipas njoftimeve nga Gaza, gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e bombardimeve dhe aksioneve të forcave izraelite, janë vrarë 32 dhe janë plagosur mbi 80 civilë. Me këtë numri i viktimave palestineze, që nga fillimi i luftës në Gaza, ka shkuar mbi 43 mijë, përderisa mbi 101 mijë të tjerë janë plagosur.

Njëkohësisht, nga Libani është njoftuar se aeroplanët izraelitë kanë vazhduar me sulme ajrore, duke goditur më shumë se 30 caqe në pjesët e ndryshme të vendit, si dhe me operacione të kufizuara tokësore, së tepërmi në afërsinë e kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

Sipas burimeve libaneze, deri më tani, si pasojë e operacioneve izraelite janë vrarë 2.574 persona, shumica dërrmuese civilë, përfshirë 127 fëmijë, përderisa më shumë se 12 mijë të tjerë janë plagosur. Tel Avivi nuk ka komentuar rreth numrave të publikuar, por ka thënë se forcat izraelite bëjnë çdo gjë që është e mundur për të shmangur viktimat në mesin e popullatës civile.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota