Pentagoni: Një “numër i vogël” ushtarësh koreanoveriorë ndodhen në Rusi
REL
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ndihet i shqetësuar për praninë e trupave në Kursk dhe shtoi se forcat ukrainase duhet të përgjigjen, nëse trupat koreanoveriore futen brenda Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se kishte një bisedë me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk, të cilit i tregoi se 3.000 ushtarë koreanoveriorë ndodhen tashmë në bazat ushtarake afër vijës së parë ukrainase dhe se pret që numri i tyre të rritet në 12.000.
“Ka vetëm një përfundim: kjo luftë është bërë ndërkombëtare dhe kalon përtej kufijve” të Ukrainës dhe Rusisë, shkroi Zelensky në Telegram.
Këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u takua të martën në Uashington me këshilltarin e lartë të Zelenskyt, Andriy Yermak, për të biseduar për trupat koreanoveriore dhe “planin e fitores” të përpiluar nga Zelensky për t’i dhënë fund luftës.
“Mbështetja ushtarake për Ukrainën, sanksionet kundër Rusisë dhe rritja e trysnisë ndaj aleatëve të Moskës janë jetike”, tha Yermak.























