Vazhdon fushata për zgjedhjet në SHBA
BKT
Foto/ CNN
Rajoni dhe Bota

Vazhdon fushata për zgjedhjet në SHBA

Hyrë Tejeci Murati/ RTK-Radio

Dy kandidatët për president të SHBA po zhvillojnë fushata edhe këtë të shtunë. Harris dhe Trump do të jenë sot në Karolinën e Veriut, një vend gjithashtu kyç sa i përket votuesve të pavendosur. Në Miçigen e në Wiskonson të dy pretendentët kërkuan votën e 5 nëntorit. Por, gara po zhvillohet pothuajse paralelisht, në një diferencë shumë të ngushtë.

Një diferencë fare e ngushtë i ndajnë dy kandidatët për president të SHBA, Kamala Harris dhe Donald Trump. Sipas sondazheve, në disa shtete  Harris kryeson me një përqindje fare të vogël, në disa janë baras, kurse në disa të tjera, Trump kryeson.

Pra ende nuk ka një parashikim të qartë se kush mund të jetë në Shtëpinë e Bardhë për katër vitet e ardhshme.

Pavarësisht krtitikave të Donald Trum, kandidatja demokrate në fushatën e saj në Wiskonsin tha se do të ajo do të ofrojë bashkëpunim edhe me ata që Trump mund t’i cilësojë si armiq.

“Në këto zgjedhje kemi rastin që përfundimisht  të kthejmë faqen e dekadës që Donald Trump ka tentuar të na ndajë dhe të na kundërshtojë secilin. E kemi tejkaluar tashmë këtë. Ne e dimë kush është ai, por le të koncentrohemi në atë se kush ne jemi”, tha Harris   

Ndërkohë që Trump në Michigen, vendi që cilësohet se mund të caktojë ndoshta rezultatin përfundimtar, iu bëri thirrje qytetarëve të dalin të martën të votojnë dhe ta dërgojnë Kamala Harris në shtëpi.

“Të martën duhet të çoheni dhe t’i thoni Kamal, u bë mjaft, nuk mund të mbani edhe më tutje presidencën më të keqe amerikane në histori, me kufijtë më të këqinj në historinë botërore, nuk do t’ju lejojmë ta shkatërroni vendin tonë. Kamala je e pushuar”, tha ndër të tjera Trump në tubimin e tij në Michigen.

Sot ata do të jenë me tubime në Karolinën e Veriut, tri ditë para zgjedhjeve.

Ndër vendet me kritike është edhe Pensilvania, ku sondazhet i nxorrën baras të dy kandidatët. Megjithatë Gjykata e Lartë e SHBA-së ka lënë në fuqi një vendim të gjykatës së Pensilvanisë që pritet të zgjerojë opsionet për votuesit, fletëvotimet me postë të të cilëve refuzohen për arsye teknike, për t'u numëruar votat e tyre, në një humbje për republikanët në një shtet kritik të fushëbetejës.

Sistemi zgjedhor në Amerikë është më specifik. Ai ka një strukturë që ndahet në zgjedhje Federale dhe në zgjedhje shtetërore e locale.

Në zgjedhjet federale përfshihen zgjedhjet për Presidentin, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Zgjedhjet për Presidentin mbahen çdo katër vjet, ndërsa ato për Senat (dy vjet për një të tretën e Senatit) dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbahen çdo dy vjet.

Ndërsa zgjedhjet shtetërore dhe lokale u takojnë shteteve veç e veç që kanë sistemin e vet të zgjedhjeve për zyrtarë të shtetit dhe lokalë, duke përfshirë guvernatorë, legjislaturat shtetërore dhe kryetarët e bashkive.

Presidenti zgjidhet përmes një sistemi të njohur si "kolegji zgjedhor," ku çdo shtet ka një numër të delegatëve që është i barabartë me numrin e senatorëve dhe përfaqësuesve që ka në Kongres. Një kandidat duhet të fitojë 270 nga 538 vota për të fituar presidencën.

Kolegji Zgjedhor përbëhet nga 538 anëtarë. Numri i anëtarëve të çdo shteti bazohet në numrin e senatorëve (2 për çdo shtet) dhe numrin e përfaqësuesve në Dhomën e Përfaqësuesve (i cili varion në përputhje me popullsinë e shtetit). Roli i anëtarëve të Kolegjit zgjedhor është që të votojnë apo të zgjedhin zyrtarisht presidentin dhe nënpresidentin e shteteve të bashkuara.

Kolegji Zgjedhor është një mekanizëm që garanton se çdo shtet ka një përfaqësim në zgjedhjen e presidentit, duke balancuar ndikimin e shteteve më të populluara me ato më të vogla.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota