Trumpi rikthehet në Shtëpinë e Bardhë
Sh.Ç/RTKlive
Kandidati republikan, Donald Trump ka fituar garën për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e mundur demokraten Kamala Harris. Trump i ka siguruar më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Elektoral. Kështu Donald Trumpi do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Trump, i cili do të bëhet presidenti i 47-të amerikan iu drejtua mbështetësve në Floridës, duke i falënderuar për besimin e dhënë. "Amerika na ka dhënë një mandat të paparë dhe të fuqishëm", ka thënë ai.
Trumpi pasi siguroi fitoren, është zotuar se do t’i jetësojë zotimet e dhëna në fushatë.
“Ne do ta ndihmojmë vendin tonë të rimëkëmbet. Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë. Ne do t’i rregullojmë kufijtë tanë. Do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, ka deklaruar ai.
Gjatë fushatës, Trumpi ka dhënë premtime që kryesisht lidheshin me çështjet ekonomike dhe emigracionin. Në ekonomi, ai ka premtuar t’i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën “përsëri të përballueshme”.
Trumpi është zotuar se do ta mbyllë kufirin e SHBA-së, duke përfunduar murin në kufi me Meksikën, e që e pati premtuar gjatë presidencës së para katër vjetëve. Ai ka thënë gjithashtu se do të bëjë dëbimin më masiv të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së
Gjatë fushatës, Trumpi ka premtuar se shtetet duhet të vendosin vetë lidhur me ligjshmërinë e abortit.
Kandidatja demokrate, Kamala Harris e ka pranuar humbjen dhe e ka uruar Trumpin përmes telefonit. Ata kanë folur për rëndësinë e transferimit paqësor të pushtetit.
Kurse, ekipi i Trumpit, ka theksuar se presidenti i zgjedhur e ka vlerësuar Harrisin për “forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen gjatë fushatës”. Në njoftim është thënë se ata kanë rënë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës.
78-vjeçari Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar presidentit aktual Joe Biden, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti Trumpin katër vjet më parë.
Trump dhe zëvendësi i tij i ardhshëm, senatori amerikan JD Vance, do të marrin detyrën në ditën e inaugurimit, më 20 janar. Trump ka sinjalizuar se do t'i japë përparësi besnikërisë personale në stafin e administratës së tij.
Ai i premtoi role në administratën e tij edhe Elon Muskut dhe ish-kandidatit presidencial Robert F. Kennedy Jr.























