Trump përgatitet për zgjedhjen e ekipit kryesor për Shtëpinë e Bardhë
Flutura Bekqeli / RTK
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Donald Trump, ka filluar përgatitjet për zgjedhjen e ekipit kryesor për Shtëpinë e Bardhë, derisa Kamala Harris është zotuar që të ndihmojë në procesin e dorëzimit të detyrave.
Në fjalimin e saj të parë që nga humbja e zgjedhjeve, Harris u tha mbështetësve: "Unë e di se shumë njerëz ndihen sikur po hyjmë në një kohë të errët, por për të mirën e të gjithë nesh, shpresoj se nuk është kështu". Në një fitore vendimtare, Trump fitoi pesë nga shtatë shtetet e fushëbetejës, dhe është përpara në dy të fundit që ende nuk janë deklaruar, Nevada dhe Arizona.
Ndërkohë, republikanët kanë rimarrë kontrollin e Senatit të SHBA-së; ata gjithashtu udhëheqin garën për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve, por mund të duhen ditë për një rezultat përfundimtar.
Ndërsa investitorët po procesojnë fitoren zgjedhore të Donald Trump, banka qendrore e SHBA është e vendosur të shpallë vendimin e saj të fundit për normat e interesit rreth orës 14:00 me kohen lokale te SHBA.
Rezerva Federale pritet gjerësisht të ulë normën e saj bazë për të dytin muaj radhazi, ndërsa ritmi i rritjes së çmimeve lehtësohet.
Zyrtarët Federale do të përballen gjithashtu me shqetësimet se politikat e presidentit të zgjedhur, duke përfshirë taksat më të larta të importit, mund të shkaktojnë më shumë inflacion.
Fitorja e Trump të mërkurën e bëri dollarin amerikan të rritet me rreth 1.65% kundrejt monedhave të tjera, duke përfshirë funten, euron dhe jenin japonez.
Trump ka thënë gjithashtu se mund të dëshirojë të ketë një fjalë në vendimet e bankës qendrore, duke kërcënuar potencialisht pavarësinë e saj. Në mandatin e kaluar në detyrë, ai kritikoi kryetarin Jerome Powell pasi normat u rritën për të trajtuar inflacionin.
Departamenti i Drejtësisë dhe këshilltari special i SHBA-së Jack Smith janë në diskutime rreth mbylljes së ndjekjeve penale federale kundër Donald Trump, raporton partneri i lajmeve i BBC-së në SHBA, CBS. Ai thotë se burimet citojnë një politikë të gjatë të mosndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
Smith aktualisht po udhëheq çështje të shumta kundër Trump, i cili do të bëhet presidenti i parë që do të marrë detyrën ndërkohë që disa çështje kundër tij janë në pritje. Këto përfshijnë një rast mbi keqpërdorimin e supozuar të dokumenteve të klasifikuara, dhe një rast për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Joe Biden.























