Përveç Netanjahut, urdhërarrestet janë lëshuar edhe për Gallant dhe Deif
Bardhyl Bajrami/ RTK
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, ish-ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant dhe komandantin e Hamasit Mohammed Deif edhe pse për këtë të fundit, ushtria izraelite ka thënë se e ka vrarë në muajin korrik në një sulm ajror.
Gjykatësit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë thënë se ka aryes të mjaftueshme që tre personat ndaj të cilëve është lëshuar urdhërarresti mbajnë përgjegjësi penale për krime të dyshuara të luftës dhe krime kundër njerëzimit të ndodhura gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Por, sikurse Izraeli ashtu edhe Hamasi i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Tani do t'u mbetet 124 vendeve anëtare të kësaj gjykate, pa përfshirë Izraelin dhe ShBA-të, të vendosin nëse do t'i zbatojnë urdhërarrestet.
Në maj, Karim Khan, prokurori i kësaj gjykate, kishte kërkuar lëshimin e urdhërarresteve për Netanjahun, Gallanti, Deifin dhe dy persona tjerë, lider të Hamasit të cilët që atëherë janë vrarë, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar. Edhepse Izraeli beson se Mohammed Deif është vrarë, gjykata ka thënë se nuk mund tae konfirmon vdekjen e tij.
Rasti i prokurorit kundër personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhërarrestet rrjedh nga ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur militantët e armatosur të Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng 251 të tjerë dhe duke i dërguar në Gazë.
Izraeli u kundërpërgjigj ndaj sulmit duke ndërmarrë një ofansivë ushtarake për të eliminuar grupin Hamas, gjatë së cilit operacion, sipas ministrisë së shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi, janë vrarë të paktën 44 mijë persona.























