Seuli:Rusia ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa në këmbim të ushtarëve
BKT
Foto: AP
Rajoni dhe Bota

Seuli:Rusia ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa në këmbim të ushtarëve

M.M. /RTKlive

Rusia ka furnizuar Korenë e Veriut me raketa të mbrojtjes ajrore në këmbim të dërgimit të trupave ushtarake të saj, për të mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë kundër Ukrainës.

SHBA, Koreja e Jugut dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut dërgoi më shumë se 10.000 trupa në Rusi, në tetor, disa prej të cilëve kohët e fundit kanë filluar të angazhohen në luftime. Ka qenë e paqartë se çfarë do t'i jepte Rusia Koresë së Veriut në këmbim.

Shin Wonsik, këshilltar për sigurinë kombëtare për presidentin Yoon Suk Yeol, i tha një programi televiziv SBS të premten se Koreja e Jugut ka zbuluar se Rusia ka siguruar raketa dhe pajisje të tjera për të përforcuar rrjetin e saj të mbrojtjes ajrore për Phenian-in, njofton AP.

Shumë vëzhgues thonë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të ndjejë nevojën urgjente për të rritur aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore për kryeqytetin, pasi Veriu muajin e kaluar akuzoi Korenë e Jugut për lëshimin e fletëpalosjeve propagandistike mbi Phenian-in. Koreja e Veriut kërcënoi se do të ndërmerrte veprime ushtarake, nëse do të hidheshin sërish fletëpalosjet. Ushtria e Koresë së Jugut ka refuzuar të konfirmojë nëse qëndron apo jo pas fluturimeve të supozuara me dronë.

Shin thotë se Rusia i ka dhënë gjithashtu ndihmë ekonomike Koresë së Veriut dhe teknologjive të ndryshme ushtarake, duke përfshirë ato që nevojiten për të ndihmuar atë vend të ndërtojë një sistem të besueshëm mbikëqyrjeje të bazuar në hapësirë.

Gjatë një samiti me, Kim Jong Un, vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska ishte e gatshme të ndihmonte Korenë e Veriut në ndërtimin e satelitëve. Koreja e Veriut vuri në orbitë satelitin e saj të parë spiun në nëntor të vitit të kaluar, por ekspertët e huaj vënë në dyshim nëse ai satelit mund të prodhojë imazhe ushtarakisht domethënëse. Përpjekja e Koresë së Veriut për të nisur një satelit të dytë spiun dështoi në maj.

Seuli dhe Uashingtoni kanë shprehur shqetësime rreth transferimeve të mundshme ruse të teknologjisë së ndjeshme bërthamore dhe raketore në Korenë e Veriut. Shin nuk tha nëse Rusia e ka transferuar tashmë një teknologji të tillë. Shumë ekspertë thanë se nuk ka gjasa që Rusia ta bëjë këtë në fazën fillestare të vendosjes së trupave të Veriut.

Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut u tha ligjvënësve të mërkurën se Koreja e Veriut kishte dërguar së fundmi sisteme shtesë artilerie edhe në Rusi. Muajin e kaluar, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës tha se Koreja e Veriut kishte dërguar më shumë se 13,000 kontejnerë me artileri, raketa dhe armë të tjera konvencionale në Rusi që nga gushti 2023 për të rimbushur rezervat e saj të armëve në pakësim.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota