Sulmet izraelite godasin periferitë jugore të Bejrutit
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulmet izraelite godasin periferitë jugore të Bejrutit

Flutura Bekqeli / RTK

Sulmet izraelite godasin periferitë jugore të Bejrutit, pasi ushtria e Izraelit lëshoi një urdhër evakuimi në zonë. Sulmi vjen përpara një takimi me Kabinetin e Sigurisë të Izraelit, të martën për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi 60-ditore me Hezbollahun, në Liban.

Ushtria izraelite thotë se ka kryer sulme në gjashtë objektiva të Hezbollahut në Bejrutin jugor. Objektivat përfshinin lokacione infrastrukturore të përdorura nga njësia e raketave të Hezbollahut, qendra komanduese dhe infrastrukturë shtesë në zonën e Dahieh, e cila konsiderohet të jetë një zonë e kontrolluar nga Hezbollahu, thonë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë.

Tutje thuhet se janë marrë hapa për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve - duke iu referuar një urdhri-evakuimi që ishte lëshuar për disa ndërtesa në Bejrutin jugor përpara sulmit.

"Këto sulme janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Izraelit për të çmontuar aftësitë ushtarake të Hezbollahut", thuhet në deklaratë. Hezbollahu nuk ka komentuar ende për sulmin.

Sulmi vjen përpara një takimi me Kabinetin e Sigurisë të Izraelit, të martën për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi 60-ditore me Hezbollahun në Liban. Trupat izraelite filluan një pushtim tokësor të Libanit pothuajse dy muaj më parë, në përgjigje të sulmeve me raketa gati një viti nga Hezbollahu. Marrëveshja thuhet se do të bënte që trupat izraelite të tërhiqen gradualisht nga Libani, ndërsa Hezbollahu do të largohej nga kufiri izraelit.

Raportet në Izrael thonë se Kabineti i tij i Sigurisë duket se do të miratojë një plan të SHBA-së për një armëpushim me Hezbollahun, në Liban kur të mblidhet këtë pasdite. Ministri i Jashtëm libanez, Abdallah Bou Habib, ka shprehur shpresën se një marrëveshje mund të arrihet deri në mbrëmje.

Edhe me tymin e shkaktuar nga sulmet ajrore izraelite, që ngrihen në qiell mbi Bejrutin jugor dhe Hezbollahu, që vazhdon të lëshojë raketa në veri të Izraelit, ekziston optimizmi se një armëpushim mund të arrihet së shpejti.

Zyrtarët thonë se plani është që ushtarët izraelitë të tërhiqen nga Libani jugor, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset atje brenda 60 ditëve. Hezbollahu do t'i jepte fund pranisë së tij të armatosur brenda (30 km) nga kufiri izraelit. Ndërsa një ministër kyç izraelit i ekstremit të djathtë e kundërshton marrëveshjen, ajo pritet të miratohet nga Kabineti i Sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, thotë se vendi i tij do të kërkojë një zbatim efektiv të OKB-së për çdo marrëveshje armëpushimi dhe do të tregojë "tolerancë zero" ndaj çdo shkeljeje.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota