Ahmeti takoi ambasadorin norvegjez në Kroaci: Rajonit i duhet stabilitet
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në Zagreb, takoi ambasadorin e Norvegjisë në Kroaci, Arne Bjornstad.
Sipas njoftimit nga BDI, Ahmeti dhe ambasadori norvegjez diskutuan për situatën politike në rajon, integrimit europian të Maqedonisë së veriut, marrëveshjen e Ohrit dhe sundimin e ligjit.
“Kryetari Ahmeti e informoi ambasadorin norvegjez që pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, nuk u respektua vullneti i qytetarëve shqiptarë nga mandatari. Stabiliteti dhe siguria në vend burojnë nga Marrëveshja e Ohrit e cila rregullon marrëdhëniet midis komuniteteve dhe garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Prandaj, gjuha shqipe nuk duhet të preket me diktat politik të qeverisë pa legjitimitet etnik”, thuhet në njoftim..
Ahmeti shprehu shqetësim sipas tij edhe për largim nga perspektiva evropiane dhe tensionimin e marrëdhënieve me fqinjët.
Ahmeti theksoi se në rajon nevojitën dy procese historike, e para, pajtim historik shqiptaro-serb me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshje rajonale e të gjithë fqinjëve, Bulgarisë, Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës për mos cenim të integritetit territorial të Maqedonisë së Veriut.























