Rusia po përparon në Ukrainë me ritmin më të shpejtë
Dardan Ramabaja / RTK
Forcat ruse po përparojnë në Ukrainë me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të pushtimit të vitit 2022, duke marrë një zonë sa gjysma e Londrës gjatë muajit të kaluar, thonë analistët dhe blogerët e luftës.
Lufta po hyn në atë që disa zyrtarë rusë dhe perëndimorë thonë se mund të jetë faza e saj më e rrezikshme pasi forcat ruse arritën disa nga fitimet e tyre më të mëdha territoriale kurse SHBA lejuan Kievin të kundërpërgjigjet me raketa amerikane.
"Rusia ka vendosur rekorde të reja javore dhe mujore për madhësinë e territorit të okupuar në Ukrainë," thotë një raport i një grupi të pavarur rus të lajmeve Agentstvo.
Ushtria ruse pushtoi pothuajse 235 km katror në Ukrainë gjatë javës së kaluar, një rekord javor për vitin 2024, sipas raportit.
Ai shton se forcat ruse kishin marrë 600 km katrorë në nëntor, duke cituar të dhëna nga DeepState, një grup me lidhje të ngushta me ushtrinë ukrainase që studion pamjet luftarake dhe ofron harta të vijës së parë.
Rusia filloi të përparonte më shpejtë në Ukrainën lindore në korrik, ashtu si forcat ukrainase çanë në një pjesë të rajonit të saj perëndimor të Kurskut. Që atëherë, përparimi rus është përshpejtuar, sipas hartave me burime të hapura.
Rusia aktualisht kontrollon 18% të Ukrainës duke përfshirë të gjithë Krimenë, pak më shumë se 80% të Donbasit, i cili përbëhet nga rajonet Luhansk e Donetsk, dhe më shumë se 70% të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe pak më pak se 3% të rajonit të Kharkiv.
Asnjëra palë nuk publikon të dhëna të sakta për humbjet e veta, megjithëse inteligjenca perëndimore vlerëson se numri i viktimave është qindra mijëra të vrarë ose të plagosur, ndërkohë që zona të Ukrainës lindore dhe jugore janë kthyer në djerrina.























