Britania e vlerëson të pabazë dëbimin e diplomatit britanik nga Rusia
Bardhyl Bajrami /RTK
Rusia e ka dëbuar një diplomat britanik dhe e ka ftuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Qeveria britanike, pretendimet e Rusisë i ka quajtur të pabaza, ndërsa po diskuton se si do të kundërpërgjigjet.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë për spiunim dhe i ka quajtur si të pabaza. Ajo ka thënë se dëbimi I diplomatit britanik nga Rusia për shkak të akuzave për spiunim është e pabazë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, Tass, ka raportuar se Agjencia Federale për Siguri e njohur me shkurtesën FSB e ka akuzuar diplomatin britanik se të dhënat në aplikacionin e tij për të hyrë në Rusi janë të pasakta dhe ka kryer aktivitetet spiunimi.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë ka thënë se Ministria, gjithashtu, e ka ftuar ambasadorin britanik për bisedime. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, agjencia shtetërore për siguri, FSB ka thënë se diplomati britanik ishte zëvendësim për një nga gjashtë diplomatët e dëbuar në gusht, po ashtu për spiunim.
Zëdhënësi i Qeverisë së Britanisë, i pyetur nëse do të përgjigjen në të njëjtën mënyrë, duke dëbuar ndonjë diplomat rus, ka thënë se janë duke diskutuar për mënyrën se si do të përgjigjen.
Dëbimi i diplomatëve është bërë diçka pothuajse e zakonshme që nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Rusia ka vazhduar me ndalimin e hyrjes në Rusi për politikanët, por edhe gazetarët britanikë. Të martën, Rusia ka shtuar 30 emra në listën e zezë, ku janë përfshirë Zëvendëskryeministrja, ministrja e Brendshme, Sekretarja e Drejtësisë dhe të tjerë. Në listën e zezë janë edhe gazetarë nga BBC, Sky News dhe Channel 4.























