Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore `Patriot` në Poloni
BKT
Rajoni dhe Bota

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore `Patriot` në Poloni

VOA

Gjermania ka ofruar ridislokim të sistemeve të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ në vendin anëtarë të NATO-s, Poloni, në nisje të fillimit të vitit të ardhshëm, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë.

Në deklaratë thuhet se këto njësi mund të vendosen deri në gjashtë muaj.

“Me ketë masë ne mund të mbrojmë një qendër logjistike në Poloni, që ka rëndësi të madhe për dërgimin e pajisjeve në Ukrainë”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Homologu i tij polak, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha përmes një postimi në rrjetin X se Varshava e mirëpret vendimin.

Gjermania dislokoi 300 trupa dhe tre sisteme ‘Patriot’ në Poloni, nga fillimi i janarit deri në nëntor të 2023.

Baza e tyre ishte në qytetin Zamosc, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Ndërkohë, të premten kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, të cilin e siguroi se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Kjo ishte biseda e tyre e parë zyrtare që kurse Scholz bisedoi me presidentin rus, Vladimir Putin, më herët gjatë këtij muaji.

“Rashë dakord me presidentin Zelenskyi që të qëndrojmë në kontakt, nën dritën e rrugëve të mundshme për paqe të drejtë”, shkroi kancelari gjerman në rrjetin X, të premten.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se biseda kishte qenë “konstruktive” dhe se prisdenti Zelenskiy e kishte falënderuar qeverinë gjermane për ndihmën ushtarake, veçanërisht atë për mbrojtjen ajrore.

Në Ukrainë, një ditë pas sulmeve masive ruse ndaj infrastrukturës energjetike, ekipet po punojnë për riparimin e dëmeve. Më shumë se 1 milionë banorë mbetën pa energji si pasojë e goditjeve me drone dhe raketa nga Rusia ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës .

Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, po qëndron në Korenë e Veriut për bisedime me udhëheqës politikë dhe ushtarakë. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha informacion se me kë do të takohej Belousov apo qëllimin e bisedimeve. Media shtetërore koreano-veriore nuk konfirmoi vizitën.

Vizita vjen disa ditë pasi presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u takua me një delegacion ukrainas të udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov. Ai bëri thirrje që dy vendet të planifikojnë masa në përgjigje të dislokimit të mijëra trupave koreno-veriore në Rusi, në mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota