Siri, rebelët marrin nën kontroll një pjesë të Alepos
BKT
Rajoni dhe Bota

Siri, rebelët marrin nën kontroll një pjesë të Alepos

Bardhyl Bajrami /RTK

Kryengritësit e grupit militant Hajat al-Sham kanë marrë nën kontroll Alepon, qytetin e dytë më të madh sirian, derisa nga një sulm ajror rus në këtë qytet, jetën e kanë humbur 16 persona, ndërsa janë plagosur 20 tjerë. E ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Rusisë kanë biseduar në telefon rreth zhvillimeve të fundit.

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën e 20 tjerë janë plagosur nga një sulm ajror në një grumbull njerëzish të mbledhur në rrethin Al Basel, në Alepo të Sirisë, ka njoftuar Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ky grup, që selinë ka në Londër, ka thënë se besohet që sulmin e kanë kryer aeroplanët luftarakë rus.

Ky shesh apo ky rreth është shndërruar në pikën qendrore apo kryesore për kryengritësit ku edhe janë parë duke e shqyer flamurin sirian dhe rrëzuar statujën e vëllait të presidentit sirian.

Rusia ka nisur sulmet ajrore në disa pjesë të Alepos, qytetit të dytë më të madh sirian pasi forcat kryengritëse kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit. Ofensiva e kryengritësve ka nxitur reagimin e Rusisë dhe sulmet e para ajrore që nga viti 2016, derisa edhe trupat ushtarake siriane janë tërhequr nga ky qytet.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar gjithashtu për vrasjen e më shumë se 300 personave, përfshirë 20 civilë, që nga fillimi i ofensivës. Rrugët drejt Alepos janë mbyllur, ashtu siç është mbyllur edhe aeroporti.

Forcat kryengritëse kanë njoftuar për aplikimin e orës policore, e cila nis në ora 17:00, sipas kohës lokale deri të nesërmen, pa bërë të ditur orën.

E ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Rusisë, Abbas Araghchi dhe Sergei Lavror, të shtunën, kanë biseduar me telefon dhe kanë shprehur përkrahjen për qeverinë siriane në luftën kundër kryengritësve. Ministri iranian ka thënë se me ministrin rus ka biseduar edhe për nevojën e koordinimit mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë rreth zhvillimeve të fundit.

Kryengritja e fundit në Siri dhe sulmi mbi Alepon është bërë nga grupi militant islamik Hayat al-Sham, grup ky që ka një histori të gjatë të përfshirjes në konfliktin sirian. Në 2011-tën, kur është formuar ky grup, ka pasur tjetër emërtim dhe ishte krijuar si degë e drejtpërdrejtë e Al-Kaidës, ndërsa edhe udhëheqësi i grupit të vetëquajtur të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte gjithashtu i përfshirë në formimin e grupit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota