Gjeorgjia dhe rruga e saj drejt BE-së
Bardhyl Bajrami /RTK
Kanë vazhduar për të dytën ditë protestat në Gjeorgji për shkak të vendimit të kryeministrit për të hequr dorë nga rruga drejt BE-s deri në fund të vitit 2028. Protestuesit janë përleshur me policinë, e cila ka hedhur gaz lotsjellës e topa uji, ndërsa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, gurë dhe shishe xhami drejt policisë duke lënduar të paktën 10 policë.
Mijëra protestues kanë mbushur përsëri rrugët në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Protestuesit kanë brohoritur ‘tradhtarë’, ndërsa në duar kanë mbajtur fotografitë e gazetarëve, të cilët, sipas tyre, janë rrahur nga policia në natën paraprake të protestave. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, gurë dhe shishe xhami drejt policisë duke lënduar 10 prej tyre. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit.
Protestuesit kanë hyrë me dhunë në televizionin publik të vendit dhe kanë kërkuar kohën televizive për ta dhe kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm dhe kryesuesit të bordit. Drejtori i televizionit ka premtuar kohën televizive për ta sonte në ora 20:00 e më pas protestuesit janë larguar nga objekti I televizionit dhe kanë vazhduar protestën jashtë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për arrestimin e më shumë se 100 personave për huliganizëm dhe të cilët nuk u janë bindur urdhrave të policisë.
Irakli Kobakhidze, kryeministri i vendit, në një konferencë të mbajtur të shtunën ka falënderuar policinë për të cilët ka thënë se kanë mbrojtur rendin kushtetues të Gjeorgjisë dhe duke mbrojtur sovranitetin e vendit.
Presidentja e vendit, Salome Zourabishvilli, ka thënë se ka nisur lëvizja e rezistencës dhe se ajo qëndron përkrah tyre.
Të enjten Parlamenti Evropian e miratoi një rezolutë me të cilën procesin e zgjedhjeve të muajit të kaluar në Gjeorgji e ka përshkruar si krizën më të rëndë demokratike në vend dhe se partia në pushtet është plotësisht fajtore.
Gjeorgjia, statusin e vendit kandidat për BE e ka që nga viti 2023. Dje, kryeministri gjeorgjian ka thënë se qeveria e tij heq dorë nga rruga drejt anëtarësimit deri në fund të vitit 2028. Megjithatë ka thënë se vendi planifikon t’i bashkohet unionit deri në vitin 2030.























