Zgjedhjet në Rumani, e djathta ekstreme konsiderohet si favorite
BKT
Rajoni dhe Bota

Zgjedhjet në Rumani, e djathta ekstreme konsiderohet si favorite

Dardan Ramabaja /RTK

E djathta ekstreme e Rumanisë konsiderohet si favorite nga sondazhet e opinionit për të fituar zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot.

Rumunët votojnë në zgjedhjet parlamentare të dielën, në të cilat e djathta ekstreme pritet të përfitojë nga pasiguria nëse rezultati tronditës në zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar do të qëndrojë.

Disa ditë pasi politikani i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, një sondazh i opinionit këtë javë tregoi se Aleanca e së Djathtës për Bashkimin e Rumunëve (AUR) kishte një epërsi të ngushtë ndaj socialdemokratëve qeverisës.

Fitimet nga grupimet e ekstremit të djathtë në votimin parlamentar të së dielës pas një fushate të dominuar nga shqetësimet e votuesve për problemet buxhetore dhe koston e jetesës mund të përmbysin orientimin properëndimor të Rumanisë dhe të minojnë mbështetjen për Ukrainën, thonë analistët politikë.

"Njerëzit që kanë votuar me qetësi për Georgescun nuk e kuptojnë se ne në thelb po flasim për një ndryshim total të trajektores," ka thënë shkencëtari politik rumun, Cristian Pirvulescu. Rumania është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Suksesi i papritur i Georgescut, të dielën e kaluar, ngjalli dyshime për ndërhyrje në fushatë, nxiti një rinumërim votash, kurse një kandidat i mundur i kërkoi Gjykatës së Lartë të vendit të përsëriste raundin e parë të votimit.

Konfuzioni nënkupton se zgjedhjet parlamentare po zhvillohen me votuesit të pasigurt, nëse rezultati i votimit të raundit të parë presidencial do të qëndrojë. Ata gjithashtu nuk e dinë nëse balotazhi presidencial - i planifikuar për në 8 dhjetor mes Georgescut dhe centristes Elena Lasconi - do të mbahet apo do të shtyhet në një datë të mëvonshme.

Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi situatën të premten, por vendosi të shtyjë deri të hënën një vendim nëse do të anulohej raundi i parë.

Georgescu kandidoi si i pavarur duke sfiduar partitë tradicionale, por analistët politikë thonë se partitë e ekstremit të djathtë ka të ngjarë të përfitojnë nga pasiguria.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota