Zgjedhjet parlamentare në Rumani
Dardan Ramabaja / RTK
E majta në Rumani ka fituar zgjedhjet parlamentare të së dieles ndërsa vazhdon pasiguria rreth presidencës për shkak të kontestimit të rezultateve.
Partitë qendrore dhe të majta rumune duket se kanë shmangur një rritje të së djathtës nacionaliste dhe ekstreme në zgjedhjet parlamentare të së dielës, teksa vëmendja u kthye te një vendim i gjykatës së lartë më vonë të hënën nëse do të anuloheshin rezultatet e zgjedhjet presidenciale për shkak të kontesteve.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës, të dytat nga tri palë zgjedhje të planifikuara gjatë një periudhe prej po kaq javësh, nxorrën fituese partinë Social Demokrate të majtë në pushtet, e duke i hapur rrugë koalicioneve.
"Ne duam një koalicion që do të vazhdojë kursin evropian të Rumanisë," ka deklaruar nënkryetari i socialdemokratëve Viktor Negresku në Pro TV. Me 99.97% të votave të numëruara , PSD ka fituar 22.3% të votave, përpara Aleancës për Bashkimin e Rumunëve të së djathtës me 18.3%.
Rumania, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, u përfshi në trazira nga një rezultat tronditës në raundin e parë të votimit presidencial më 24 nëntor, kur një kandidat pak i njohur i së djathtës ekstreme doli fitues, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të jashtme në zgjedhje në një vend që ka qenë një aleat i vendosur i Ukrainës.
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë urdhëroi një rinumërim të votave të raundit të parë dhe do të shpallë në orën 15:00 vendimin e saj nëse do të vlerësojë ose jo rezultatet e votimit presidencial. Nëse gjykata miraton rezultatin, kandidati i pavarur i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu do të përballet me kandidaten e qendrës së djathtë Elena Lasconi në balotazh më 8 dhjetor. Shefi i autoritetit zgjedhor rumun Toni Grebla tha të hënën se rinumërimi i 9.46 milionë votave të hedhura në raundin e parë nuk solli dallime të mëdha.
Autoritetet rumune thonë se vendi është një objektiv kryesor për aktorët armiqësorë si Rusia dhe kanë akuzuar platformën e transmetimit të videove TikTok se i jep trajtim preferencial një kandidati. Si Rusia ashtu edhe TikTok mohojnë çdo keqbërje.























