Presidentja e Gjeorgjisë i kërkon ndihmë BE-së kundër përpjekjeve ruse
Dardan Ramabaja | RTK
Presidentja e Gjeorgjisë, e bllokuar në një ngërç me qeverinë e saj, u bëri thirrje vendeve evropiane të hënën që të përballen me atë që ajo e përshkroi si një përpjekje ruse për të vendosur kontrollin mbi vendin e saj.
Presidentja Salome Zourabichvili ka folur pas një nate të katërt të përleshjeve mes protestuesve dhe policisë pasi partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane njoftoi javën e kaluar se po pezullonte bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kritikët e panë këtë si konfirmim të një zhvendosjeje të ndikuar nga Rusia nga politikat pro-perëndimore dhe kthimi drejt orbitës së Moskës, diçka që partia në pushtet e mohon. "Ne duam që fati ynë evropian të na kthehet," ka deklaruar presidentja Zourabichvili, e cila është revoltuar personalisht me policinë duke thënë se kjo është revolta e një vendi të tërë. Zourabichvili, fuqitë e së cilës janë kryesisht ceremoniale, tha se Rusia, tashmë në luftë në Ukrainë, po zhvillonte një "strategji hibride" kundër Gjeorgjisë dhe vendeve të tjera si Moldavia dhe anëtarja e NATO-s dhe BE-së, Rumania. "Ka një nevojë shumë të fortë për një mbështetje shumë të qartë morale dhe politike" nga Evropa, ka thënë presidentja 72-vjeçare, i cili ka lindur në Francë nga prindër gjeorgjianë dhe dikur ka shërbyer si ambasadore franceze në Gjeorgji.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi se Rusia po ndërhynte në situatën në Gjeorgji, të cilën ai e krahasoi me revolucionin "Maidan" të vitit 2014 në Ukrainë që përmbysi një president pro-rus. Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev paralajmëroi të dielën se Gjeorgjia "po lëvizte me shpejtësi përgjatë rrugës ukrainase, në humnerën e errët", duke parashikuar se do të përfundonte "shumë keq".
Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë shprehur alarmin për atë që ata e shohin si kthim prapa demokratik nga Gjeorgjia, një vend i Kaukazit Jugor me 3.7 milionë banorë që shtrihet në kryqëzimin e Evropës dhe Azisë dhe dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik























