Rusia dhe Siria vazhdojnë me sulme ajrore, kryengritësit ende përparojnë
Luan Qorraj / RTK
Raportet e fundit nga Siria thonë se forcat ajrore të Sirisë së bashku me ato ruse, po vazhdojnë me një fushatë intensive të bombardimeve në tentim të ndalimit të përparimit të mëtejmë të kryengritësve të cilët, për pak ditë, morën nën kontroll një pjesë të madhe të vendit, përfshirë edhe qytetin Aleppo.
Përveç goditjeve të kryengritësve në terren, aviacioni sirian dhe rus kanë goditur edhe caqe brenda qyteteve Idlib dhe Aleppo duke shkaktuar edhe viktima civile.
Por, përkundër sulmeve intensive, kryengritësit po vazhdojnë të përparojnë, edhe pse më ngadalë se gjatë ditëve të para të ofanzivës, dhe, sipas njoftimeve, tani kanë arritur në paralagjet e qytetit Homs.
Njëkohësisht, njoftohet se luftëtarët e grupeve militante Shiite nga Iraku kanë filluar të hyjnë në Siri për t'i ndihmuar forcave të Assad-it por ende nuk dihet se deri ku kanë arritur ato.
Ende nuk është e qartë se cili është caku përfundimtar i grupeve kryengritëse, të cilat janë bashkuar në një koalicion të përgjithshëm anti-Assad, por disa diplomat kanë thënë se përparimet e tyre i vendosin shumë vende në dilemë, edhe pse shumë prej tyre nuk e duan Asadin si udhëheqës sirian, ato njëkohësisht druajnë nga mundësia që e tërë Siria të bie në duart e grupeve kryengritëse, shumë prej të cilave ende përcjellin politika ekstremiste.























