Në Korenë e Jugut ligjvënësit nisin procedurat për shkarkimin e presidentit
Bardhyl Bajrami / RTK
Ligjvënësit jugkorean tashmë kanë nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol pas lëvizjes së papritur të tij për shpalljen e Ligjit të Luftës. Procedura do të zgjasë disa ditë dhe për shkarkimin e presidentit duhet të votojnë 2/3 e ligjvënësve apo 200 deputet.
Partia opozitare, si e vetme, pothuajse i ka numrat për shkarkimin e presidentit. Edhe vetë partia e presidentit është rreshtuar kundër veprimeve të tij, por ende janë duke shqyrtuar se si të veprojnë tutje, derisa për shkarkimin e presidentit do të duhen edhe disa vota të deputetëve të saj.
Nëse mocioni kalon në parlament, përgjegjësitë dhe detyrat e presidentit pezullohen menjëherë dhe kryeministri do të merr detyrën e presidentit.
Megjithatë, fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Nëse e aprovon mocionin e shkarkimit, presidenti largohet ndërsa zgjedhjet do të duhet të mbahen brenda 60 dite. Nëse nuk e aprovon, presidenti mbetet në detyrë.
Mëngjesin e sotëm nga zyreja e presidentit kanë njoftuar se të gjithë zyrtarët e lartë si dhe shefi i kabinetit, këshilltari për siguri kombëtare dhe drejtori për politika kombëtare, i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Kim Min-ki, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut ka thënë se të gjithë pjesëtarët e ushtrisë do të konsiderohen përgjegjës për çfarëdo dëmi të shkaktuar fizik dhe të paligjshëm të kryer gjatë shpalljes në kohë shumë të shkurtë të Ligjit të Luftës nga ana e presidentit.
Nga sot, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, policia dhe të tjerë e kanë të ndaluar plotësisht të hyjnë në Asamblenë Kombëtare, ka thënë Min-ki. Ai ka shtuar se rreth 230 trupa të armatosura, të paktën 24 herë kanë hyrë në kompleksin e Asamblesë Kombëtare me helicopter për një kohë të shkurtër para se ligjvënësit të votojnë për tërheqjen e Ligjit të Luftës.
Presidenti jug Korean e tërhoqi Ligjin e Shpallur disa orë pas miratimit të Rezolutës nga parlamenti për tërheqjen e tij.























