Sulmet izraelite në Gaza kanë përshkallëzuar krizën humanitare
Hanife Osmani / RTK
Sulmet izraelite në Gaza kanë përshkallëzuar krizën humanitare, me spitale që përballen me kushte katastrofike. Ndërkohë, tensionet vazhdojnë në Liban dhe në kufirin sirian pas shkatërrimit të një pike kufitare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar fuqishëm sulmin izraelit ndaj spitalit Kamal Adëan në veri të Gazës. Pacientët dhe stafi mjekësor u përfshinë në sulme të shumta me dron nga ushtria izraelite. Situata në këtë spital është përshkruar si katastrofike, me furnizime që po mbarojnë, kirurgë të pamjaftueshëm dhe trupa të viktimave që po qëndrojnë nëpër dysheme.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit në anën tjetër ka paralajmëruar se kushtet e ashpra të dimrit po e përkeqësojnë gjendjen e familjeve të zhvendosura që jetojnë në strehime të improvizuara pa rroba të ngrohta ose batanije në Gaza. Ndërsa nga Libani përditësimet e fundit tregojnë se pesë persona janë plagosur në sulmin izraelit pranë qytetit Bint Jbeil, ndërsa armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollah vazhdon mes shkeljeve të shumta. Sulmet izraelite kanë vrarë 4,047 dhe plagosur 16,638 persona në Liban që nga fillimi i luftës në Gaza.
Sulmet izraelite kanë shkatërruar gjithashtu pikën kufitare Arida mes Libanit dhe Sirisë, duke bllokuar një rrugë të rëndësishme për transport të mallrave dhe njerëzve. Ushtria izraelite pretendon se kalimi po përdorej për kontrabandë armësh nga Hezbollah, por nuk ofroi prova. Nga ngjarjet përtej kufijve, janë zhvilluar bisedime Izraelito-Gjermane për Sigurinë Rajonale. Komandantët ushtarakë të Izraelit dhe Gjermanisë diskutuan për zhvillimet e fundit në kufirin verior dhe për bashkëpunimin në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.























