Rusia lansoi 53 dronë mbi Ukrainë, forcat ukrainase rrëzuan 32 prej tyre
Hanife Osmani / RTK
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon me përshkallëzim të dronëve dhe në të njejtën kohë me përpjekje diplomatike. Ukraina nepermjet tyre po planifikon përforcime strategjike, përderisa tensionet me Rusinë po intensifikohen.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon me intensitet të lartë. Gjatë natës, Rusia lansoi 53 dronë mbi Ukrainë, nga të cilët forcat ajrore ukrainase rrëzuan 32, ndërsa për 16 të tjerë humbën gjurmët. Dy prej tyre kaluan hapësirën ajrore ukrainase dhe u drejtuan drejt Bjellorusisë. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi një plan ambicioz për të furnizuar forcat e saj me mbi 30,000 dronë sulmues me rreze të gjatë gjatë vitit 2024. Këta dronë mund të operojnë në mënyrë automatike dhe të godasin objektivat me saktësi të lartë.
Në anën tjetër, Rusia po përballet me humbje të mëdha në fuqi punëtore në përpjekjet për të arritur përparime taktike në rajonin perëndimor të Donetskut, sipas Institutit për Studimin e Luftës. Në fushën diplomatike, Shtëpia e Bardhë raportoi një bisedë mes këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, dhe ndihmësit kryesor të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Andriy Yermak, ku u diskutua mbi mënyrat për forcimin e pozitës së Ukrainës në luftë dhe sigurimin që vendi të hyjë në çdo negociatë të ardhshme nga një pozicion force.
Ndërkohë, në një takim të sigurisë në Maltë, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov akuzoi Perëndimin për provokimin e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë, ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbrojti qëndrimin e vendeve perëndimore. Gjermania gjithashtu mbetet e ndarë mbi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Bundestagu pritet të debatojë mbi dërgimin e raketave Taurus me rreze të gjatë, përkundër hezitimeve të kancelarit Olaf Scholz. Kanadaja njoftoi ndalimin e 324 llojeve të armëve dhe deklaroi se po punon me qeverinë ukrainase për t'i dhuruar ato për të ndihmuar në luftën kundër pushtimit rus.























