Siri, rebelët lokalë marrin pjesën më të madhe të rajonit jugor
BKT
Rajoni dhe Bota

Siri, rebelët lokalë marrin pjesën më të madhe të rajonit jugor

Flutura Bekqeli / RTK

Forcat rebele në Sirinë jugore thuhet se kanë kapur pjesën më të madhe të rajonit Deraa,  vendi ku ka nisur kryengritja e vitit 2011 kundër presidentit Bashar al-Assad.

Monitoruesi i luftës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar raporton se "fraksionet lokale" ishin në gjendje të merrnin kontrollin e shumë vendeve ushtarake atje pas "betejave të dhunshme" me forcat qeveritare.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, burime rebele thonë se ata kishin arritur një marrëveshje që ushtria të tërhiqej dhe që zyrtarëve ushtarakë t'u jepej kalimi i sigurt në kryeqytetin Damask, afërsisht 100 km larg.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se rebelët në jug kontrollonin më shumë se 90% të rajonit Deraa dhe se vetëm zona e Sanamayn ishte ende në duart e qeverisë.

Ministri i Brendshëm i Jordanisë tha se vendi kishte mbyllur anën e tij të kufirit "për shkak të kushteve të sigurisë përreth jugut të Sirisë".

Diku tjetër, forcat e udhëhequra nga kurdët thonë se kanë marrë qytetin e Deir Ezzorit, pikëmbështetja kryesore e qeverisë në shkretëtirën e madhe në lindje të vendit.

Ka pak më shumë se një javë qëkur rebelët në veri nisën ofensivën e tyre të rrufeshme - më e madhja kundër qeverisë siriane ndër vite, e cila ka ekspozuar dobësinë e ushtrisë së vendit.

Të paktën 370,000 njerëz mendohet se janë zhvendosur deri më tani, si rrjedhojë e ofensivës së rebelëve, sipas OKB-së, e cila ka thënë se luftimet gjithashtu "po përkeqësojnë një situatë tashmë të tmerrshme për civilët në veri të vendit".

Rebelët pushtuan Hamën, në veri të Homsit, të enjten - një goditje e dytë e madhe për presidentin Assad, i cili humbi kontrollin e Aleppos, javën e kaluar.

Udhëheqësi i grupit militant islamik ‘Hayat Tahrir al-Sham’, Abu Mohammed al-Jawlani, u tha banorëve të Homsit "ka ardhur koha juaj".

Rebelët kanë përparuar në jug dhe Homs do të ishte ndalesa e radhës në rrugën për në Damask. Kremlini është i preokupuar me luftën e tij në Ukrainë dhe Irani është dobësuar nga fushata ndëshkuese e Izraelit kundër milicisë së tij aleate më të fuqishme, Hezbollahut.

Hezbollahu, luftëtarët e të cilit kishin qenë kyç për mbajtjen e territorit të regjimit në Siri, tani mungojnë kryesisht në fushën e betejës, megjithëse raportet në shtypin libanez dhe izraelit thonë se një numër i vogël kanë kaluar kufirin për të mbështetur mbrojtjen e Homsit.

Zyrtarët rusë dhe iranianë pritet të takohen me homologët e tyre turq në fundjavë për të diskutuar një përgjigje ndaj kësaj ngritjeje në luftën civile të Sirisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota