Presidentit të Koresë së Jugut i ndalohet largimi nga vendi
Dardan Ramabaja /RTK
Zyra e Hetimit të Korrupsionit për zyrtarët e lartë ia ka ndaluar udhëtimin jashtë vendit presidentit të Koresë së Jugut, pasi ai po hetohet për tentativën për ta shpallur ligjin ushtarak.
Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i është ndaluar largimi nga vendi për shkak të një përpjekjeje të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak, ka njoftuar të hënën një zyrtar i ministrisë së drejtësisë.
Yoon ka kërkuar falje për përpjekjen e dështuar dhe tha se po ia linte në dorë fatin e tij politik dhe ligjor Partisë së tij në pushtet, Pushtetit Popullor, por nuk dha dorëheqje përkundër presionit publik.
Ai është bërë objekt hetimi penal, sipas raporteve të mediave lokale.
Të hënën, ministria e mbrojtjes tha se Yoon ishte ende ligjërisht komandant i përgjithshëm, por mospajtimet në rritje mes oficerëve të lartë ushtarakë kundër presidentit kanë vënë në pikëpyetje kontrollin e tij në pushtet.
Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë heton zyrtarët e rangut të lartë, duke përfshirë presidentin dhe anëtarët e familjes së tyre, por nuk ka autoritet për të ndjekur penalisht presidentin.
Në vend të kësaj, me ligj kërkohet që çështja t'i referohet prokurorisë. Ndërsa Yoon i mbijetoi një votimi për shkarkim në parlament të shtunën, vendimi i partisë së tij për t'ia deleguar autoritetin presidencial kryeministrit e ka zhytur vendin në një krizë kushtetuese.
Yoon ka refuzuar thirrjet, duke përfshirë disa nga brenda partisë së tij në pushtet, për të dhënë dorëheqjen, por e ardhmja e tij dukej më e pasigurt gjatë fundjavës kur agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se ai ishte nën hetim penal për tradhti të dyshuar.
Prokurorët arrestuan të dielën ish-ministrin e mbrojtjes Kim Yong-hyun për rolin e tij të dyshuar në shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor, raportoi Yonhap.
Yoon i dha ushtrisë fuqi emergjente gjithëpërfshirëse më 3 dhjetor për të çrrënjosur ato që ai i quajti "forcat anti-shtetërore" dhe kundërshtarët politikë pengues. Ai e anuloi urdhrin gjashtë orë më vonë, pasi parlamenti votoi kundër dekretit.























