Trupat izraelite hyjnë në Siri, i ofrohen Damaskut
Dardan Ramabaja /RTK
Trupat izraelite kanë arritur pranë Damaskut, thonë burime të sigurisë siriane, pasi sulmet ajrore izraelite goditën bazat e ushtrisë në vend.
Një inkursion ushtarak i trupave izraelite në Siri ka arritur rreth 25 km në jugperëndim të Damaskut, thanë burimet siriane të sigurisë të martën, pasi Izraeli pushtoi një zonë tampon në Sirinë jugore dhe nisi sulmet ajrore mbi ushtrinë siriane dhe bazat ajrore gjatë natës.
Operacioni ushtarak i Izraelit në Siri vjen dy ditë pas përmbysjes së rrufeshme të presidentit Bashar al-Assad nga një aleancë rebele, e cila i la sirianët, vendet rajonale dhe fuqitë botërore të shqetësuara për ato që do të mund të ndodhin më pas.
Një burim sirian i sigurisë tha se trupat izraelite arritën në Katana, e cila është 10 km brenda në territorin sirian në lindje të një zone të demilitarizuar që ndan Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli.
Izraeli ka thënë se nuk do të përfshihet në konfliktin në Siri dhe se marrja e zonës tampon ishte një veprim mbrojtës.
Egjipti, Katari dhe Arabia Saudite e kanë dënuar inkursionin. Arabia Saudite tha se masa do të "shkatërronte shanset e Sirisë për të rivendosur sigurinë".
Burimet rajonale të sigurisë dhe oficerët brenda ushtrisë tashmë të rënë siriane thanë se sulmet e rënda ajrore izraelite vazhduan kundër instalimeve ushtarake dhe bazave ajrore në të gjithë Sirinë gjatë natës, duke shkatërruar dhjetëra helikopterë dhe avionë, si dhe asete të Gardës Republikane në dhe përreth Damaskut.
Rreth 200 sulme Izraelite nuk kanë lënë më asgjë nga asetet e ushtrisë siriane, thanë ata. Izraeli ka deklaruar se ka marrë "masa të kufizuara dhe të përkohshme" vetëm për të mbrojtur sigurinë e saj.
Komandanti kryesor i rebelëve Ahmed al-Sharaa, i njohur si al-Golani, u takua me Kryeministrin e Asadit, Mohammed Jalali,dhe zëvendëspresidentin Faisal Mekdad për të diskutuar mbi qeverinë kalimtare dhe dorëzimin e pushtetit.























