Vuçiq: SHBA do të vendosë sanksione ndaj industrisë serbe të naftës
BKT
Rajoni dhe Bota

Vuçiq: SHBA do të vendosë sanksione ndaj industrisë serbe të naftës

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Presidenti Aleksander Vuçiq deklaroi se është konfirmuar lajmi që për disa ditë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të plota ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë ruse.

“Ky është ndoshta një nga lajmet më të rënda”, tha Vuçiq për TV Informer, duke njoftuar lajmin për sanksionet ndaj NIS-it. “Kur një kompani është nën sanksione të SHBA-së, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me të”, shtoi ai, duke theksuar se sanksioneve do t’u bashkohen edhe Britania e Madhe dhe të gjithë të tjerët.

“Kur një kompani është nën sanksione amerikane, askush nuk bashkëpunon me të. E keni parë këtë në Republikën Srpska. Tani, pasi nuk i kemi ende dokumentet, nuk e dimë sa kohë do të na japin. Ne e kemi pritur këtë nga BE-ja një vit e gjysmë më parë, por nuk ndodhi nga BE-ja, dhe tani vjen nga Amerika, që janë ndoshta sanksionet më të rënda. Nga ai moment, naftësjellësi Janaf në Kroaci do të thotë – nuk e lëshojmë më naftën përmes naftësjellësit të Adriatikut”, tha Vuçiq.

Sipas tij, kjo çështje do të hapë probleme edhe me Rusinë. Presidenti i Serbisë deklaroi se duhet të lihet një afat për të zbatuar këtë vendim. “Kjo është një vendim gjeopolitik, një vendim madhor”, theksoi Vuçiq.

Ai kujtoi se tashmë është e qartë pse ka insistuar që të ndërtohet një naftësjellës drejt Hungarisë, por tha se do të duhet të bisedojë si me amerikanët ashtu edhe me rusët.

Industria e Naftës së Serbisë është kryesisht në pronësi të Gazprom Neft dhe kompanisë mëmë të saj, Gazprom. Serbia varet nga Rusia në sektorin energjetik. Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të harmonizohet me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, edhe pse është një vend kandidat për anëtarësim në BE.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota