Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur nga cikloni Chido
BKT
Rajoni dhe Bota

Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur nga cikloni Chido

Dardan Ramabaja /RTK

Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur në ishullin francez Mayotte, pasi një ciklon me erëra të fuqishme goditi ishujt e Oqeanit Indian.

Disa qindra njerëz e mbase edhe mijëra njerëz druhet se mund të kenë vdekur nga cikloni më i fuqishëm në gati një shekull që goditi arkipelagun francez të Oqeanit Indian të Mayotte, njoftoi të dielën një zyrtar i lartë lokal francez.

"Unë mendoj se sigurisht që do të jenë disa qindra, ndoshta do të arrijmë një mijë, madje edhe disa mijëra," ka deklaruar prefektja Francois-Xavier Bieuville për mediat.

E pyetur për numrin e të vdekurve nga cikloni Chido, ministria e brendshme franceze tha se "do të jetë e vështirë të llogariten të gjitha viktimat" në këtë fazë.

Deri më tani, Franca ka vendosur 110 ushtarë, me 160 të tjerë që pritet të arrijnë më vonë gjatë ditës së sotme. Por është e vështirë sepse operacioni i kërkimit është penguar nga dëmtimi i infrastrukturës në të gjithë ishullin.

Cikloni Chido goditi Mayotte gjatë natës, sipas Meteo-France, me erëra prej më shumë se 200 km/h, duke dëmtuar banesat, ndërtesat qeveritare dhe një spital. Kjo ishte stuhia më e fortë në pothuajse 100 vjet që goditi ishujt.

Pamjet ajrore të shpërndara nga xhandarmëria franceze treguan rrënojat e qindra shtëpive të improvizuara të shpërndara nëpër kodrat e një prej ishujve të Mayotte, të cilat kanë qenë një pikë qendrore për imigracionin e paligjshëm nga Komoros aty pranë.

Në dekadat e fundit mijëra njerëz janë përpjekur të kalojnë nga Komoret, në brigjet e Afrikës Lindore, në Majot, e cila ka një standard më të lartë jetese dhe akses në sistemin francez të mirëqenies.

Mbi 100,000 emigrantë pa dokumente jetojnë në Mayotte, sipas ministrisë së brendshme franceze.

E vendosur gati 8,000 km larg nga Parisi, Mayotte është dukshëm më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur me dhunën e bandave dhe trazirat sociale për dekada.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota