Putini akuzon Perëndimin se po e shtyn Rusinë në `vijat e saj të kuqe`
Dardan Ramabaja / RTK
Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi të hënën Perëndimin se po e shtyn Rusinë në "vijat e saj të kuqe" situatë kjo që sipas tij ai i ka bërë të qartë publikisht se nuk do t`a tolerojë, duke u arsyetuar se Moska po detyrohet të përgjigjet.
Putin tha në një takim të zyrtarëve të mbrojtjes se Rusia po vëzhgonte me shqetësim zhvillimet në SHBA lidhur me vendosjen e mundshme të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në Ukrainë. Sipas tij, me qëllim për ta dobësuar Rusinë, dhe për ti shkaktuar një disfatë strategjike, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të pompojnë regjimin qeverisës de facto të paligjshëm në Kiev me armë dhe para, si dhe të dërgojnë mercenarë dhe këshilltarë ushtarakë dhe në këtë mënyrë të inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Putin shtoi se Rusia do të largojë të gjitha kufizimet e veta vullnetare për vendosjen e raketave të veta nëse SHBA-ja do të vazhdonte të vendoste raketa të tilla në Ukrainë.
Putin i cili pretendon se forcat ruse në Ukrainë kanë marrë kontrollin e 189 vendbanimeve deri më tani këtë vit, tha se armët bërthamore të Rusisë ishin atje për parandalim.
"Për shkak të profesionalizmit dhe trimërisë së ushtarëve tanë, përpjekjeve të jashtëzakonshme të punëtorëve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetjes së vërtetë të kombit tonë për ushtrinë dhe marinën, trupat ruse po mbajnë një iniciativë strategjike në të gjithë vijën e frontit", ka thënë Putin.























