Ukraina merr përsipër vrasjen e shefit të mbrojtjes bërthamore ruse
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina merr përsipër vrasjen e shefit të mbrojtjes bërthamore ruse

Dardan Ramabaja/ RTK

Shërbimet ukrainase të sigurisë kanë marrë përsipër vrasjen me eksploziv të shefit të forcave të mbrojtjes bërthamore ruse në Moskë. Një bombë e fshehur në një skuter elektrik vrau gjeneralin më të lartë rus të ngarkuar me forcat e mbrojtjes bërthamore në Moskë të martën, njofton komiteti hetues i Rusisë.

Gjenerallejtënant Igor Kirillov, shef i Trupave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra jashtë një ndërtese apartamentesh në Ryazansky Prospekt, rreth shtatë km në juglindje të Kremlinit.

Zëdhënësja e komitetit hetues Svetlana Petrenko thotë se "Incidenti është klasifikuar si akt terrorist, vrasje, trafik i paligjshëm i armëve dhe municioneve".

Ukraina qëndron pas vrasjes së Kirillot ka thënë një burim ukrainas i sigurisë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters dhe AFP dhe disa mediave Ukrainase.

Fotografitë e postuara në kanalet ruse të Telegramit treguan një hyrje të shkatërruar në një ndërtesë të mbushur me rrënoja dhe dy trupa të shtrirë në borën e njollosur me gjak.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raporton se pajisja që vrau gjeneralin Kirillov u operua nga distanca.

Ai gjithashtu thotë se bomba mund të kishte përmbajtur rreth 300 g lëndë shpërthyese. Duke cituar një zyrtar: "Pajisja shpërthyese e improvizuar kishte një kapacitet prej rreth 300 gram në ekuivalentin e TNT".

Një qytetare që banon në afërsi ka thënë se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë kishte pasur frikë të shikonte në dritare.

Trupat ruse të mbrojtjes radioaktive, kimike dhe biologjike, të njohura si RKhBZ, janë forca speciale që veprojnë në kushte të kontaminimit radioaktiv, kimik dhe biologjik.

 Vetëm një ditë më parë, prokurorët ukrainas e akuzuan Kirillovin në mungesë për përdorimin e pretenduar të armëve kimike të ndaluara në Ukrainë, njoftoi Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, për Kyiv Independent, akuza të cilat Rusia i mohon. Igor Kirillov ishte akuzuar nga Perëndimi për mbikëqyrjen e përdorimit të armëve kimike në fushën e betejës në Ukrainë.

Kurse shërbimi ukrains i sigurisë SBU ka thënë qëndron pas shpërthimit, të cilin e përshkroi si një operacion special kundër një objektivi legjitim.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota