Kolegji Zgjedhor i Pensilvanisë ka dërguar në Kongres votën e tyre
Bardhyl Bajrami /RTK
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kolegjet zgjedhore të shteteve kanë nisur t’i hedhin, certifikojnë dhe dërgojnë në Kongres votat e tyre. Një të tillë e ka bërë shteti i Pensilvanisë. Al Schmidt, sekretar i këtij shtetit, ka thënë se ky shtet ka marrë pjesë në të gjitha kolegjet zgjedhore që nga zgjedhja e George Washingtonit, president të parë të SHBA-së.
Anëtarët e 'Kolegjit të 60-të Zgjedhor të Pensilvanisë' në SHBA, janë mbledhur në kryeqytetin Harrisburg për të hedhur, certifikuar dhe përcjellë votat e tyre për presidentin dhe zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Al Schmidt, sekretar i Commonwealthit të Pensilvanisë, ka thënë se ky shtet ka marrë pjesë në secilin kolegj zgjedhor që nga Kolegji i Parë i vitit 1789, kur të gjithë 69 të zgjedhurit nga 10 shtetet pjesëmarrëse, me unanimitet, zgjodhën Goerge Washingtonin, presidentin e parë të vendit.
“Edhe pse një unanimitet i tillë ështëiI rrallë në jetën e sotme politike, të gjithë pajtohemi për rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe parimeve tona demokratike. Është përgjegjësi e shenjtë”, ka thënë Schmidt.
Kandidati republikan, Donald Trump, ka fituar në këtë shtet kundrejt kandidates demokrate, Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Shteti i Pensilvanisë konsiderohet një ndër shtetet kryesore në mesin e shteteve që njihen si të papërcaktuara apo të luhatshme ndërsa siguron 19 vota elektorale apo vota zgjedhore.























