Izraeli kryen sulme ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen
Bardhyl Bajrami/ RTK
Pas një sulmi të rebelëve Houthi kundër Izraelit, ushtria e këtij vendi ka ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve ushtarake të tyre në pjesën ku ata e kanë kontrollin. Sipas Houthive, si pasojë e sulmeve të Izraelit, nëntë persona janë vrarë.
Izraeli ka njoftuar se forcat e saja mbrojtëse kanë ndërmarrë një sërë sulmesh kundër caqeve ushtarake në Jemen që i përkasin lëvizjes Houthi e cila ka përkrahjen e Iranit.
Një burim ushtarak ka thënë se portet në Detin e Kuq dhe infrastruktura energjetike në kryeqytetin Sana ishin në shënjestër të këtyre sulmeve. Televizioni Al Masirah që udhëhiqet nga kryengritësit huthi ka thënë se 9 persona janë vrarë në portin Salif dhe terminalin e naftës Ras Issa, që ndodhen në provincën Hudaydah.
Këto sulme ushtria izraelite i ka ndërmarrë disa orë pasi një raketë e lëshuar nga Jemeni është rrëzuar mbi Izraelin qendror. Si pasojë, një shkollë dhe disa autovetura janë dëmtuar në Ramat Gan që ndodhet pranë Tel Avivit. Ushtria izraelite po kryen hetime për të kuptuar nëse shkolla u godit dhe u dëmtua nga ndonjë pjesë e raketës apo nga fragmente të raketës së shkatërruar.
Houthit, të cilët kontrollojnë pjesën veri-perëndimore të Jemenit kanë nisur ta sulmojnë Izraelin dhe anijet ndërkombëtare të transportit në det menjëherë pas luftës në Gazë, tetorin e 2023-s. Këto sulme, houthit kanë thënë se po i ndërmarrin në mbështetje të palestinezëve.























