Pelicot dënohet me 20 vjet burgim për drogim dhe përdhunim të ish-gruas
BKT
Rajoni dhe Bota

Pelicot dënohet me 20 vjet burgim për drogim dhe përdhunim të ish-gruas

Sh.Ç/RTKlive

Një gjykatë në Francë e ka dënuar Dominique Pelicotin me 20 vjet burgim për drogimin dhe përdhunimin e vazhdueshëm të ish-bashkëshortes, Gisele Pelicot për gati një dekadë, si dhe për rekrutimin e burrave të tjerë për ta përdhunuar atë në shtëpitë e tyre.

Edhe 50 të pandehurit e tjerë në këtë rast u shpallën fajtorë për përdhunim, tentativë përdhunimi apo sulm seksual, teksa viktima e tyre, Gisele Pelicot ishte e pranishme në sallën e gjyqit për ta dëgjuar vendimin, pasi hoqi dorë nga e drejta për anonimitet.

Dominique Pelicot ka theksuar në gjykatë se është përdhunues dhe i kërkoi falje familjes së vet. Prokurorët kishin kërkuar dënim maksimal prej 20 vjetëve burgim për të.

Viktima e përdhunimit për 10 vjet nga ish-bashkëshorti dhe 50 të tjerë, Gisele Pelicot, ka deklaruar se nuk është penduar kurrë që e ka bërë publik rastin dhe ka nisur procedurë gjyqësore.

“Kam besim në kapacitetin tonë kolektiv për të gjetur një të ardhme më të mirë ku gratë dhe burrat mund të jetojnë së bashku me respekt të ndërsjellë”, ka deklaruar ajo pas shpalljes së verdiktit.

Rasti i Gisele Pelicotit, e cila kishte qenë e martuar më Dominiquen për 50 vjet, e ka tronditur botën dhe e ka shndërruar atë në simbol të guximit.

Gisele Pelicot, 72-vjeçare, hoqi dorë nga anonimiteti gjatë gjykimit dhe kërkoi që videot e tmerrshme të abuzimit të saj, të cilat ishin xhiruar nga ish-bashkëshorti i saj, të shfaqeshin në gjykatë, duke thënë se kjo do t’u ndihmonte grave të tjera ta ngrenë zërin.

Gjykimi ka nxitur protesta nëpër Francë në mbështetje të Giseles.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota