Azili për politikanin polak, mollë sherri mes Polonisë e Hungarisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Azili për politikanin polak, mollë sherri mes Polonisë e Hungarisë

M.M. /RTKlive

Hungaria i ka dhënë azil politik një politikani të opozitës polake, i cili kërkohet për dyshime për korrupsion, duke shkaktuar një grindje diplomatike që u përkeqësua të premten ndërmjet qeverisë polake dhe hungareze.

Qeveria e Polonisë e dënoi vendimin e Hungarisë si një "akt armiqësor" dhe kryeministri Donald Tusk tha se ishte i tronditur nga vendimi i kryeministrit hungarez Viktor Orbán për të strehuar një njeri që kërkohej me dyshime për mashtrimin e shtetit të miliona zloti (valutë polake, v.j.).

Ministria e Jashtme polake tha të premten në mëngjes se ka thirrur në shtëpi ambasadorin e saj në Hungari për "konsultime të pacaktuara". Ajo thirri gjithashtu ambasadorin hungarez në Varshavë për t'i dhënë atij një notë proteste, njofton AP.

Çështja përqendrohet në rastin e një ish-zëvendësministri të drejtësisë, Marcin Romanowski, por zbulon gjithashtu një përplasje mbi sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Tusk mori detyrën vitin e kaluar duke u zotuar të rivendosë normat demokratike dhe të luftojë korrupsionin që ka mbizotëruar nën qeverinë konservatore kombëtare të Ligjit dhe Drejtësisë.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, qeveria e tij ka kërkuar të sjellë para drejtësisë disa ish-zyrtarë të qeverisë që dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë tetë vjetëve në detyrë të Ligjit dhe Drejtësisë, nga 2015 deri në 2023.

“Nuk prisja që politikanët e korruptuar që i shpëtonin drejtësisë do të ishin në gjendje të zgjidhnin mes (presidentit bjellorus, Aleksandër) Lukashenko dhe Orbanit”, tha Tusk të premten, duke iu referuar dukshëm rastit të një gjyqtari polak që iku në Bjellorusi këtë vit.

Qeveria e Hungarisë, e cila është në linjë me partinë e Polonisë Ligj dhe Drejtësi, i ofroi të enjten azil politik Romanowskit, i cili kërkohet sipas një urdhër-arresti evropian.

Romanowski përmes avokatit të tij argumenton se ai është viktimë e ndëshkimit politik nga qeveria e Tusk-it.

Gergely Gulyás, shefi i shtabit të Orbanit, tha se Budapesti besonte se Romanowski nuk do të kishte një gjykim të drejtë në Poloni.

Si Polonia, ashtu edhe Hungaria janë anëtarë të Bashkimit Evropian prej 27 anëtarësh dhe Polonia beson se masa e Budapestit është "një veprim në kundërshtim me parimin themelor të bashkëpunimit besnik", siç parashikohet në traktatet e BE-së.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota