Sulmet izraelite në Gaza kanë shkaktuar vdekjen e 58 palestinezëve
Hanife Osmani / RTK
Sulmet ajrore izraelite në Gaza kanë shkaktuar vdekjen e 58 palestinezëve gjatë 24 orëve të fundit përfshirë edhe viktima në zonën e raportuar si të sigurt të al-Mawasit në jug të territorit.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë dënuar përshkallëzimin e situatës, duke përmendur sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve, që tashmë janë bërë të zakonshme. Drejtori i Spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës ka deklaruar se urdhri izraelit për të evakuuar spitalin është i pamundur të zbatohet, pasi aty ndodhen rreth 400 civilë, përfshirë foshnja në inkubatorë.
Në Liban, Izraeli ka nisur një fushatë të rëndë bombardimi në Kfar Kila, duke shkelur një armëpushim të arritur muajin e kaluar. Ndërkohë, konflikti ka marrë përmasa më të gjera, pasi ushtria izraelite ka nisur sulme ndaj objektivave të Houthive në Jemen, si kundërpërgjigje për sulmet me raketa ndaj Izraelit. Në nivel ndërkombëtar, Kryeministri irlandez ka riafirmuar mbështetjen e palëkundur për popullin palestinez, duke bërë thirrje për një armëpushim dhe ndihma humanitare të menjëhershme. Irlanda gjithashtu ka evakuuar fëmijë palestinezë të plagosur për trajtim mjekësor.
Organizatat humanitare dhe mjekësore kanë ngritur alarmin për sulmet ndaj spitaleve në Gaza, duke e cilësuar këtë si një strategji për spastrim etnik.
Drejtori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për refugjatet Palestinez, Philippe Lazzarini, theksoi se një fëmijë vdes çdo orë në Gaza, duke dënuar ashpër humbjen e jetëve të pafajshme.























