Shkupi e dënon deklaratën e Kostadinov për bashkimin e RMV-së me Bullgarinë
BKT
Rajoni dhe Bota

Shkupi e dënon deklaratën e Kostadinov për bashkimin e RMV-së me Bullgarinë

REL

Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar ashpër një deklaratë të liderit të ekstremit të djathtë në Bullgari, i cili bëri thirrje që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të bashkohet në një shtet të vetëm bazuar në një ide të shprehur rishtazi nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, për bashkimin e SHBA-së me Kanadanë.

Lideri i partisë politike të ekstremit të djathtë në Bullgari, Rilindja (Prerodbas), Kostadin Kostadinov, tha të enjten se “nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, që të bëhen një shtet i vetëm”.

Kjo deklaratë u dënua si “e turpshme dhe e pandershme” nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

“Përkundrazi, synimi për ta shprehur në mënyrë të njëanshme në këtë mënyrë në fakt do të thotë mosrespektim, do të thotë mosnjohje”, tha Gordana Silanovska-Davkova.

Ministria për Punë dhe Tregti të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër deklaratën e Kostadinovit, i cili është gjithashtu deputet aktual në Kuvendin Popullor të Bullgarisë, duke thënë se kjo deklaratë “shpreh pretendime të qarta territoriale ndaj Maqedonisë së Veriut”.

“Deklarata të tilla dashakeqe të zyrtarëve të skenës politike bullgare janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së vendit tonë dhe në të njëjtën kohë janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, mosndërhyrjen e shteteve në punët e tyre të brendshme dhe politika e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, Venko Filipçe, deputet dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, kërkoi që Sofja të reagojë dhe të distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Kostadinovit, ndërsa Bashkimi Evropian, siç tha ai, (BE) të dënojë deklaratën e tij.

“ I bëj thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë qartë këtë qëndrim, i cili cenon të drejtat universale të njeriut dhe vlerat evropiane, dhe të tregojë se deklarata të tilla nuk kanë vend në BE”, shkroi të enjten Filipçe, në profilin e tij zyrtarë në Facebook.

Çfarë tha Kostadinov?

Kostadinov shkroi se nuk ka asgjë “më logjike dhe më normale sesa dy vende me histori, origjinë, gjuhë dhe popull të përbashkët, si SHBA dhe Kanadaja, të bëhen një shtet i vetëm”.

“E njëjta situatë është edhe me Maqedoninë (e Veriut). Nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, që të bëhen një shtet i vetëm”, shtoi Kostadinov.

Në të njëjtin kontekst, ai mbështeti gjithashtu pretendimet e Trumpit për kthimin e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë, duke theksuar se SHBA-ja ishte pronarja e parë e asaj zone, “të cilët e ndërtuan dhe e kontrolluan deri në vitin 1979”.

Ky qëndrim i Kostadinov vjen në një periudhë marrëdhëniesh të ndjeshme mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që lidhen me historinë, identitetin dhe gjuhën, çka kanë ndikuar edhe në bllokadën nga ana e Bullgarisë ndaj procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota