Kuvendi maqedonas rrëzon interpelancën për Izet Mexhitin, shkarkohet Dauti
Besnik Osmani/RTK
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me tre vota “për” dhe 64 kundër, hodhi poshtë interpelancën për zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, dhe për tre zyrtarë të tjerë të Qeverisë.
Gjatë ditës, deputetët e VMRO-DPMNE-së, ZNAM-it dhe Levicës shkarkuan nga posti i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Ilire Dauti.
Para shkarkimit, deputetja Dauti deklaroi se beson se një ditë Ligji për veteranët e UÇK-së do të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
“Ajo para se të ketë të bëjë me mua, pra kjo interpelancë, ka të bëjë me të gjithë ju, me të gjithë ne pa dallim. Është test mbi demokracinë dhe shtyllat bazë të saj, pra liri dhe barazi që unë i dua dhe ju ftoj që t’i doni të gjithë. Shkarkimi im, sido që të jetë epilogu, nuk e zgjidh këtë problematikë”, tha deputetja e Frontit Evropian.
Interpelanca ndaj deputetes Dauti nuk u mbështet nga koalicioni VLEN, ndërsa grupi parlamentar i LSDM-së braktisi seancën.























