Studimi i ‘The Lancet’: Numri i të vdekurve në Gazë, më i lartë
RTK
Numri i të vdekurve palestinezë nga lufta në Gazë mund të jetë dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare të raportuara nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, sugjeron një studim i publikuar në revistën mjekësore "The Lancet".
Studimi i udhëhequr nga Britania e Madhe mbuloi nëntë muajt e parë të luftës, e cila filloi kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023.
Ai përdori të dhëna nga ministria, një anketë në internet të të afërmve që raportonin viktima. Ai vlerësoi se deri më 30 qershor 2024, 64,260 palestinezë vdiqën nga lëndimet traumatike.
Ambasada izraelite në Mbretërinë e Bashkuar tha se "çdo informacion që rrjedh nga Gaza nuk mund të besohet" dhe i shërben Hamasit.
OKB në anën tjetër i trajton shifrat e ministrisë së shëndetësisë si të besueshme. Shifrat e ministrisë nuk bëjnë dallim midis luftëtarëve dhe civilëve, por një raport i fundit nga OKB tha se shumica e viktimave të verifikuara gjatë një periudhe gjashtëmujore ishin gra dhe fëmijë.
Në gusht, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kishin "eliminuar mbi 17,000 terroristë", megjithëse nuk është e qartë se si arriti në këtë shifër.
Izraeli këmbëngul se synon vetëm luftëtarët dhe përpiqet të shmangë ose minimizojë viktimat civile. Izraeli nuk po u lejon gazetarëve ndërkombëtarë nga organizatat mediatike, qasje të pavarur në Gaza, duke e bërë të vështirë verifikimin e fakteve në terren.
Ekipi që qëndron pas studimit të fundit përdori një metodë statistikore të quajtur "kapje-rimarrje", një teknikë e cila është përdorur për të vlerësuar vdekjet në konflikte të tjera.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës nxjerr çdo ditë numrin e të vdekurve nga lufta. Ai përmbledh shifrat nga vdekjet e regjistruara në spitale, vdekjet e raportuara nga anëtarët e familjes dhe vdekjet nga "raportet e besueshme të medias".
Ministria e shëndetësisë e Hamasit thotë se 46,006 njerëz, shumica prej tyre civilë, janë vrarë nga fushata ushtarake izraelite.























