SHBA: Trump do të mund të dënohej nëse nuk do t`i fitonte zgjedhjet
Dardan Ramabaja / RTK
Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump do të ishte dënuar për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ai i humbi, nëse nuk do të ishte rizgjedhur me sukses në vitin 2024, thotë një raport i Departamentit të Drejtësisë i lëshuar në Kongres.
"Provat e pranueshme ishin të mjaftueshme për të marrë dhe mbështetur një dënim në gjyq," thotë raporti i Prokurorit Special Jack Smith.
Pas publikimit të raportit, Trump ka thënë se Jack Smith është "i çmendur" dhe gjetjet e tij janë "të rreme".
Trump u akuzua se u bëri presion zyrtarëve për të ndryshuar rezultatin e vitit 2020, duke përhapur me vetëdije gënjeshtra për mashtrimin e zgjedhjeve dhe duke kërkuar të shfrytëzonte trazirat në Kongresin amerikan më 6 janar 2021.
Trump, i cili ishte president në kohën e krimeve të supozuara, më pas kaloi katër vjet jashtë detyrës- por u rizgjodh me sukses në Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Ai do të kthehet në presidencë javën e ardhshme.
Pas suksesit të tij në zgjedhjet e vitit 2024, çështjet e ndryshme ligjore me të cilat ai kishte luftuar janë zhdukur kryesisht.
Megjithëse Jack Smith - prokuror special që e hetoi atë në këtë dhe një rast tjetër - ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij përpara kthimit të Trump, dhe kjo i hapi rrugë publikimit të raportit.
Smith u emërua në vitin 2022 për të mbikëqyrur hetimet e qeverisë amerikane ndaj Trumpit.
Prokurorët e posaçëm zgjidhen nga Departamenti i Drejtësisë (DD) në rastet kur ka një konflikt të mundshëm interesi.























