Rusia e Ukraina vazhdojnë të këmbejnë sulme ajrore
Luan Qorraj / RTK
Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar me sulmet ajrore , me raketa balistike dhe fluturake pa pilot, kundër caqeve strategjike të kundërshtarit.
Sipas Kievit zyrtar, gjatë natës së kaluar, Rusia lansoi disa raketa balistike dhe 131 fluturake pa pilot drejtë caqeve në Ukrainë. Mbrojtja ajrore ukrainase ka arritur të rrëzojë apo të ridrejtojë në mënyrë elektronike të gjitha fluturaket e lansuara ruse dhe të ndalojë të gjitha raketat, përveç njërës e cila goditi një fushë të zbrazët në rajonin e Zaporizhzhia-s.
Njëkohësisht, Moska ka bërë të ditur se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 55 fluturake ukrainase mbi 6 rajone të ndryshme të Rusisë, por Kievi ka bërë të ditur se së paku një pjesë e fluturakeve ukrainase kanë arritur në caqet e tyre.
Ukrainasit kanë njoftuar se gjatë natës së kaluar arritën të godasin një fabrikë për prodhimin e aeroplanëve në rajonin Smolensk si dhe një depo të madhe të naftës në rajonin Voronezh. Gjithashtu ka njoftime për sulme ukrainase në rajonin Orenburg. Duke vazhduar kështu strategjinë e goditjeve të infrastrukturës së rëndësishme ushtarake të Rusisë e cila, sipas ekspertëve, po jep çdo herë e më shumë efekt.
Ndërkohë, nga fronti është njoftuar se forcat ruse, pas muajve të sulmeve të njëpasnjëshme, arritën të marrin kontrollin e fshatit Vovkove, i cili është 10 kilometra larg Pokrovskut, qytetit i cili që një kohë të gjatë s’është cak i ofanzivës ruse.
Edhe pse Moska po e raporton marrjen e fshatit si fitore kjo besohet të jetë e ashtuquajtur "fitore e Pirro-s", pasi që për ta marrë një fshat i cili nuk ka rëndësi strategjike Rusia u detyrua të humbë mijëra ushtarë dhe qindra autoblinda, tanke dhe mjete tjera të rënda ushtarake.























