Trepça kualifikohet për finalen e Kupës së Kosovës në basketboll
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 21:30) Trepça është finalisti i parë i Kupës së Kosovës në basketboll, pas eliminimit Sigal Prishtinës në gjysmëfinale.
Në ndeshjen e kthimit, mitrovicasit triumfuan me një fitore bindëse 84:66, duke siguruar kalimin në finale.
Ndeshja është zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën "Minatori" në Mitrovicë, ku Trepça, fituese e Kupës së Kosovës në vitin e kaluar, e ka dominuar takimin dhe ka siguruar fitoren e dytë pas ndeshjes së parë.
Trepça tani pret të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Bashkimit dhe Vëllaznimit për të luftuar për titullin e këtij sezoni.
Rifillon ndeshja mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës
(E plotësuar, 20:45) Ka rifilluar ndeshja mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës, e cila ishte ndërprerë në çerekun e tretë për shkak të një incidenti.
Takimi ka rinisur pas largimit të një pjese të shikuesve nga tribunat VIP.
Incidenti ka ndodhur pas një fauli në sulm ndaj një lojtari të Sigal Prishtinës, i cili kishte reaguar dhe ishte ndëshkuar me gabim josportiv, çka kishte shkaktuar tensione mes lojtarëve. Situata ishte përshkallëzuar kur tifozët mitrovicas kanë hudhur gjësende në parket, duke detyruar ekipin e Sigal Prishtinës të largohet nga fusha.
Pas disa minutash pauzë dhe largimit të disa tifozëve nga tribunat VIP, ndeshja ka rifilluar, dhe të dy skuadrat janë kthyer në fushë për të vazhduar përballjen e Kupës së Kosovës.
Incident në derbin Trepça – Sigal Prishtina, ndërpritet ndeshja
Ndeshja mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës është ndërprerë pas një incidenti në çerekun e tretë.
Pas një fauli në sulm që i është dhënë një lojtari të Prishtinës, ai ka reaguar dhe është ndëshkuar me gabim josportiv, çka ka shkaktuar tensione mes lojtarëve. Situata është përshkallëzuar kur tifozët mitrovicas kanë filluar hudhjen e gjësendeve në parket, duke detyruar ekipin e Sigal Prishtinës të largohej nga fusha.
Gjyqtarët kanë vendosur ta ndërpresin përkohësisht takimin, ndërsa pritet vendimi i zyrtarëve të ndeshjes. Ka gjasa që tifozët të largohen nga tribunat për të mundësuar vazhdimin e ndeshjes.























