Në SHBA avioni me 64 pasagjerë përplaset me helikopterin ushtarak
BKT
Rajoni dhe Bota

Në SHBA avioni me 64 pasagjerë përplaset me helikopterin ushtarak

Bardhyl Bajrami /RTK

Në Washington DC ka ndodhur një aksident ajror. Një aeroplan i udhëtarëve derisa po i ofrohej pistës së aeroportit për aterrim është përplasur me një helikopter ushtarak dhe të dy kanë rënë në lumë. Sipas informatave të para në aeroplan ndodheshin 64 persona ndërsa në helikopter 3. Ekipet emergjente po kërkojnë për ndonjë të mbijetuar eventual.

Një aeroplani i kompanisë American Airlines me 64 persona në të është përplasur në ajër me një helikopter në Washington DC dhe të dy kanë rënë në lumin Potomac.

Aeroplani që po vinte nga Wichita në Kansas në bord kishte 60 udhëtarë dhe 4 anëtarë ekuipazhi, ndërsa në helikopterin ushtarak ndodheshin 3 ushtarë.

Zyrtarët policor në Washington kanë thënë për kanalin CBC News se deri tani janë nxjerrë 18 trupa megjithatë numër zyrtar të viktimave.

Administrata Federale e Aviacionit ka bërë të ditur se përplasja mes aeroplanit dhe helikopterit ka ndodhur në afërsi të pistës 33 të aeroportit Kombëtar Ronald Reagan rreth orës 21 sipas kohës lokale.

Ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump i cili ka thënë të jetë informuar për aksidentin e tmerrshëm dhe ka falënderuar ekipet emergjente për punën e tyre të jashtëzakonshme.

Sipas CNN-it, pak moment para përplasjes, kontrolluesi i trafikut ajror është dëgjuar duke pyetur helikopterin nëse e kanë në dukje apo nëse po e shohin aeroplanin e American Airlines.  Edhe një tjetër vërejtje thuhet se është dhënë nga Kontrolli i Fluturimeve e pak sekonda më pas ndodh përplasja. Helikopteri nuk është përgjigjur në komunikimin dhe vërejtjet e Trafikut Ajror.

Aksidenti i fundit komercial ajror në SHBA kishte ndodhur në shkurt 2009  kur aeroplani i kompanisë Colgan Air i cili ishte nisur nga aeroporti Newark në New Jersy u rrëzua mbi një shtëpi derisa po I afrohej aeroportit Bufalo në New York.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota