Rënie e madhe e qarkullimit në zinxhirët e supermarketeve në Maqedoni
G.K/RTKlive
Administrata e të Ardhurave Publike (UJP) ka publikuar të dhënat e sistemit GPRS për regjistrimin e qarkullimit të parasë në zinxhirët kryesorë të supermarketeve në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave, më 31 janar 2025, qarkullimi i regjistruar ishte 114,293,367 denarë, duke shënuar një rënie drastike krahasuar me ditët e mëparshme.
Sipas njoftimit, më 30 janar 2025, qarkullimi ishte 212,782,151 denarë, ndërsa më 24 janar 2025, ai arriti në 213,985,705 denarë. Krahasuar me 24 janarin, qarkullimi më 31 janar ka rënë me 46.59%, ndërsa krahasuar me 30 janarin, rënia është 46.29%.
"Administrata e të Ardhurave Publike do të vazhdojë monitorimin dhe analizën e këtyre trendeve dhe do të informojë publikun për të dhëna të rëndësishme që mund të ndikojnë në ekonominë e vendit", thuhet në njoftim.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka shprehur mbështetje për qytetarët që po bojkotojnë supermarketet për shkak të rritjes së çmimeve.
"Kjo është e drejtë e qytetarëve, ata kanë të drejtë të vendosin se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre," tha ministri Besar Durmishi. Ai theksoi se ministria ka miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës duke ngrirë marzhin e produkteve ushqimore.
"Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vazhdojë të monitorojë çmimet dhe do të ndërmarrë masa për të mbrojtur konsumatorët" theksoi ai.
Ky bojkot, që ka filluar si një lëvizje qytetare në Kroaci, tani ka mbërritur edhe në Maqedoninë e Veriut, ku grupe të ndryshme shoqërore po kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të kontrolluar çmimet dhe për të siguruar stabilitetin e tregut. Pjesëmarrësit në bojkot kërkojnë uljen e çmimeve dhe rregullimin e tregut, në një kohë kur inflacioni ka ndikuar seriozisht në buxhetin e familjeve.























