Protesta masive në Novi Sad, studentët bllokojnë urat duke kërkuar drejtësi
BKT
Foto: Anamari Repic/RTK
Rajoni dhe Bota

Protesta masive në Novi Sad, studentët bllokojnë urat duke kërkuar drejtësi

Anamari Repic/RTK-Beograd

Studentët serbë kanë bllokuar urat kryesore në Novi Sad, duke e shndërruar kryeqytetin e Vojvodinës në epiqendrën e protestave kundër qeverisë dhe pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Një numër i madh studentësh nga Universiteti i Beogradit dhe ai i Novi Sadit, së bashku me qytetarë, nisën bllokimin e tre urave në Novi Sad në orën 15:00. Dy urat u mbajtën të bllokuara deri në orën 18:00, pas së cilës protestuesit u bashkuan në bllokimin 24-orësh të Urës së Lirisë.

Studentët mbajnë pankarta me mesazhe për kërkesat e tyre, ndërsa organizohen diskutime me figura publike dhe koncerte simbolike. Qytetarët kanë dalë për të ofruar ushqim dhe ujë për protestuesit.

Kjo është protesta më e madhe deri tani kundër Vuçiqit, me pjesëmarrës nga e gjithë Serbia. Studentët nga Beogradi kanë ecur për dy ditë, dhe pas 80 kilometrash arritën në Novi Sad për të shprehur solidaritet me kolegët e tyre.

Ky aksion vjen tri muaj pas shembjes tragjike të një strehëze në stacionin hekurudhor, ku humbën jetën 15 persona. Protestuesit fajësojnë qeverinë për korrupsion dhe neglizhencë në projektet infrastrukturore dhe kërkojnë përgjegjësi.

Protestat, që zgjasin prej gati tre muajsh, tashmë kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq, ndërsa presioni ndaj qeverisë së Vuçiqit po rritet. Studentët kërkojnë një hetim të pavarur për tragjedinë dhe ndryshime thelbësore në qeverisje.

Me bllokimin e urave në Novi Sad, protestat kanë hyrë në një fazë të re, duke kaluar në bllokada 24-orëshe për të rritur presionin ndaj autoriteteve që kontrollojnë institucionet dhe mediat kryesore.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota