Kryeministri izraelit në SHBA, temë armëpushimi në Gazë
Hanife Osmani /RTK
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po zhvillon bisedime në Uashington për fazën e dytë të armëpushimit në Gazë, ndërsa Irani dhe vendet arabe kundërshtojnë planet për zhvendosjen e palestinezëve.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbërritur në Uashington, DC, për të zhvilluar takime me presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë mbi fazën e dytë të armëpushimit në Gaza.
Ai ka deklaruar se në këto bisedime do të trajtohet ‘fitorja ndaj Hamasit’, çështja e pengjeve dhe përballja me Iranin. Vizita e Netanyahut vjen në një kohë kur lufta në Gaza ka shkaktuar një numër alarmues viktimash.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 61,700 palestinezë janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë mbeten të zhdukur. Izraeli vazhdon operacionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, duke zhvendosur mijëra palestinezë dhe shkatërruar infrastrukturën jetike.
Në kampin e refugjatëve Tulkarem, rreth 75% e banorëve janë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës izraelite.
Ndërkohë, Irani ka dënuar propozimin e Trump-it për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, duke e cilësuar atë si ‘spastrim etnik’. Edhe vende të tjera arabe kanë refuzuar çdo plan për dislokimin e palestinezëve në Jordaninë dhe Egjiptin fqinj.
Në një tjetër zhvillim, Amnesty International ka akuzuar Izraelin për krime lufte dhe ka kërkuar që përgjegjësit të mbajnë llogari. Sekretarja e përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard, ka deklaruar se gjenocidi është kryer dhe se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi.
Gjatë vizitës së tij në Uashington, Netanyahu pritet të përballet me protesta masive. Aktivistë dhe disa ligjvënës demokratë pritet të bojkotojnë takimet me të, duke kundërshtuar mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së për Izraelin.
Ndërkohë, Izraeli ka intensifikuar sulmet në Liban, duke shkatërruar struktura të Hezbollahut, dhe ka përshkallëzuar bastisjet në Bregun Perëndimor, duke përdorur automjete të blinduara dhe buldozerë për të shkatërruar infrastrukturën palestineze.























