SHBA dëbon shtetasit indus me aeroplan ushtarak
M.M. /RTKlive
Rreth 100 shtetas indus janë dëbuar nga SHBA për në shtetin e Punjabit të Indisë, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme.
Avioni ushtarak, i cili u largua nga Teksasi vonë të martën, tani është në qytetin e Amritsar, Punjabi, ku autoritetet thonë se kanë marrë masa për t’i riatdhesuar të dëbuarit.
Presidenti Donald Trump deportimin masiv të shtetasve të huaj, pa dokumente, e ka bërë devizë politike. Shtetet e Bashkuara thuhet se kanë identifikuar rreth 18.000 shtetas indus që besojnë se kanë hyrë ilegalisht, raporton BBC.
Trump ka thënë se kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e kishte siguruar atë se India do të "bënte atë që është e drejtë" në pranimin e dëbuarve nga SHBA.
Autoritetet në Punjab thonë se kanë ngritur sportele speciale për të pritur të dëbuarit, duke shtuar se individët do të trajtoheshin në një mënyrë "miqësore".
Gazetarët janë mbledhur jashtë barrikadave të policisë pranë një ndërtese të Forcave Ajrore të Indisë në Amritsar.
Trump po përdor gjithnjë e më shumë avionë ushtarakë amerikanë për të kthyer individë në vendet e tyre.
Megjithatë, fluturimet e dëbimit në Indi nuk janë të reja. Në vitin fiskal të SHBA 2024, i cili përfundoi në shtator, më shumë se 1,000 shtetas indianë ishin riatdhesuar me fluturime çarter dhe komerciale.
Në tetor, Emigracioni dhe Zbatimi i Doganave në SHBA (ICE) deportoi më shumë se 100 shtetas indus të cilëve u mungonin baza ligjore për të qëndruar në SHBA me një fluturim çarter, pjesë e një tendence në rritje të largimeve në Indi.























