Në mesin e viktimave në Orebro ka edhe sirian dhe boshnjak
BKT
Rajoni dhe Bota

Në mesin e viktimave në Orebro ka edhe sirian dhe boshnjak

Bardhyl Bajrami /RTK

Në mesin e 10 viktimave që u vranë në shkollën në Orebro të Suedisë ka qytetarë me prejardhje nga Siria dhe nga Bosnja Hercegovina, pa u saktësuar nëse janë shtetas suedez apo jo.

Ambasada e Bosnjës ka thënë se është vrarë një shtetase nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa një tjetër shtetas është plagosur. Ambasada ka thënë se ka vendosur të pret për informatat zyrtare nga policia suedeze para se t’i publikon detajet për viktimën dhe të lënduarin. Bojan Shoshiq, ambasadori i Bosnjës dhe Hercegocvinës në Suedi, ka vënë lule për nder të viktimave pranë shkollës në Orebro.

Ndërsa ambasada siriane nuk ka dhënë detaje për numrin e sirianëve të vrarë apo të lënduar në këtë rast. Megjithatë, ndërkohë është zbuluar se Salim Iskef, 29 vjeç, një i krishterë ortodoks i cili është larguar nga lufta në Siri në vitin 2015 është njëri nga viktimat e sulmit. Mediet suedeze kanë thënë se ai është bërë shtetas suedez.

Informata për identitetin e viktimave është dhënë nga ambasadat e këtyre dy vendeve e jo nga policia, e cila përveç se ka deklaruar se viktimat janë të kombeve të ndryshme nuk ka dhënë informata tjera.

Policia ka thënë se i dyshuari për kryerjen e krimit, është gjetur i vdekur më pas, ndërsa pranë kishte tre armë. Mediet lokale kanë thënë ai është Rickard Andersson, 35 vjeç por që policia zyrtarisht nuk e ka konfirmuar këtë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota