GJPN zotohet se do të vazhdojë punën, pavarësisht sanksionimit nga Trump
Bardhyl Bajrami /RTK
Gjykata Penale Ndërkombëtare është zotuar se do të vazhdojë punën e saj gjyqësore pavarësisht nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, për sanksionimin e personelit të kësaj gjykate. Përmes një deklarate, kjo gjykatë ka dënuar lëshimin e urdhrit ekzekutiv të SHBA-së me qëllim të ndjekjes apo sanksionimin e zyrtarëve të saj dhe dëmton punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore.
Urdhri i presidentit Trump e akuzon këtë institucion për veprime të paligjshme dhe të pabaza, pasi kjo gjykatë lëshoi urdhërarrest për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, si i dyshuar për krime lufte në Gazë, të cilat Izraeli i mohon. Gjykata ka lëshuar edhe një urdhërarrest për një komandant të Hamasit.
Në urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump thuhet se veprimet e fundit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare përbëjnë precedent të rrezikshëm duke krijuar një ‘baraspeshë të turpshme morale’ mes Hamasit dhe Izraelit, duke lëshuar urdhra arrestimi në të njëjtën kohë.
Shtetet e Bashkuara, por edhe Izraeli, nuk janë anëtare të kësaj gjykate.
Vitet e fundit, kjo gjykatë ka lëshuar urdhër arreste për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për kryerjen e krimeve të dyshuara në Ukrainë, liderëve talibanë për persekutimin e grave dhe vajzave afgane dhe liderit ushtarak të Mianmarit për krimet kundër komunitetit Rohyngia, pjesëtarë të komunitetit islam.
Anëtarë të kësaj gjykate janë më shumë se 120 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende të tjera evropiane.
Aleatë të shumtë të Shteteve të Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Gjermania, por edhe presidentja e Komisionit Evropian e kanë dënuar këtë veprim të presidentit amerikan.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik, Kier Starmer, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e përkrah pavarësinë e kësaj gjykate.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që urdhri I presidentit amerikan të tërhiqet, ndërsa Ursula Von der Leyen, në rrjetin social ‘X’ ka thënë se Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të jetë në gjendje të ndjekë lirisht luftën kundër mosndëshkimit global.
Por, në mbrojtje të vendimit të presidentit Trump ka dalë Peter Szijjarto, ministri i jashtëm hungarez, i cili në Facebook ka thënë se vendimi është plotësisht i kuptueshëm me pretendimin se GJPN-ja kohët e fundit është maskuar si një mjet i njëanshëm politik.
Gjatë mandatit të parë si president, Trump kishte vënë sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-s, të cilët po hetonin nëse forcat amerikane kishin kryer krime lufte në Afganistan, ndërsa këto sanksione ishin tërhequr nga presidenti Joe Biden.























